Kina rinovon alarmin blu për stuhitë
2024-05-10 11:32:11

CFP

CFP

Observatori kombëtar i Kinës lëshoi të enjten një alarm blu për stuhi, pasi erërat e forta me intensitet të ndryshëm pritet të godasin disa pjesë të vendit, duke përfshirë Liaoning, Jilin, Mongolinë e Brendshme, Xinjiang, Qinghai, Gansu, Ningxia, Shaanxi dhe Hebei, shkruan “Xinhua”.

Qendra Kombëtare Meteorologjike bëri të ditur se pjesë të Detit Bohai, Ngushticës Bohai, Detit të Verdhë, Ngushticës së Tajvanit, Kanalit Bashi dhe Detit të Kinës Jugore do të përjetojnë stuhi me intensitet të lartë.

Qendra paralajmëroi anijet që të jenë të kujdesshme ndaj rreziqeve të sigurisë gjatë lundrimit ose operimit në ujërat e prekur nga stuhitë.

Po ashtu, qendra kërkoi nga departamentet përkatëse të zbatojnë masat paraprake të fokusuara në parandalimin e zjarrit dhe sigurinë e transportit. Këmbësorët dhe automjetet janë këshilluar që të shmangin qëndrimin nën ose pranë ndërtesave të larta, tabelave ose pemëve.

Kina ka një sistem paralajmërues moti me katër nivele, të koduar me ngjyra për erërat e forta, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja. (Irma)