CMG nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me institucionet hungareze
2024-05-10 15:23:14

Në kuadër të vizitës shtetërore të Presidentit të Kinës Xi Jinping në Hungari, Shen Haixiong, Drejtor i Grupit Mediatik të Kinës (CMG), nënshkroi një "Memorandum Mirëkuptimi mbi Thellimin e Bashkëpunimit mes CMG dhe Fondacionit Hungarez të Mbështetjes së Medias dhe Menaxhimit të Aseteve", me Papp Dániel, president i këtij fondacioni.Ai gjithashtu nënshkroi "Marrëveshjen e Bashkëpunimit Strategjik midis CMG dhe Administratës Kombëtare të Turizmit të Hungarisë" me Könnyid László, drejtor i këtij organi.  

Presidenti Xi Jinping dhe kryeministri hungarez Orban Viktor dëshmuan shkëmbimin e marrëveshjeve të sipërpërmendura. Këto dy dokumente bashkëpunimi u përfshinë në listën e dokumenteve përfundimtare të vizitës shtetërore të presidentit Xi Jinping në Hungari.

Vitet e fundit, CMG ka mbajtur shkëmbime miqësore me dy organizatat e mësipërme dhe ka zhvilluar një bashkëpunim të thellë dhe frytdhënës. 

Për të forcuar më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin njerëzor mes Kinës dhe Hungarisë, si edhe për të vijuar miqësinë tradicionale mes dy popujve, CMG nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e sipërpërmendura. Kjo, për të kontribuuar me forcën mediatike për ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Hungari në partneritet të gjithanshëm strategjik, në të gjitha rrethanat e epokës së re, nëpërmjet shkëmbimeve të lajmeve, prodhimit e transmetimit të përbashkët të programeve, shkëmbimeve të teknologjive mediatike, mbrojtjes së trashëgimive kulturore dhe organizimit të përbashkët të aktiviteteve.

Fondacioni Hungarez për Mbështetjen e Medias dhe Menaxhimin e Aseteve është një trust i krijuar nga qeveria hungareze për të financuar, drejtuar dhe menaxhuar Radio Televizionin Kombëtar Hungarez, Agjencinë Hungareze të Lajmeve dhe Televizionin Danub. 

Administrata Kombëtare e Turizmit e Hungarisë është autoriteti i turizmit i qeverisë hungareze, e cila përgjigjet për ndërtimin e markës së turizmit të vendit, promovimin e burimeve turistike, promovimin e industrisë së modës. (Wang Lei/ Elona)