Xi Jinping-u dhe kryeministri hungarez Orban takojnë së bashku gazetarët
2024-05-10 04:49:29

Të enjten pasdite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministri hungarez Viktor Orban u takuan së bashku me gazetarët pas bisedimeve mes tyre në Kryeministri në Budapest.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Xi Jinping-u vuri në dukje se ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Hungarisë. Gjatë 75 viteve të fundit, të dyja palët kanë ndjekur gjithmonë parimet e respektit reciprok, trajtimit të barabartë dhe përfitimeve të ndërsjella, duke i çuar marrëdhëniet dypalëshe në drejtimin e duhur dhe në periudhën më të mirë në histori. “Kryeministri Orban dhe unë patëm bisedime të përzemërta, miqësore dhe produktive, shkëmbyem pikëpamje të thelluara mbi zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Hungari në epokën e re dhe çështjet me interes të përbashkët për të dyja palët, arritëm konsensus të gjerë dhe dëshmuam shkëmbimin e një sërë dokumentesh të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh. Kam plotësisht besim në perspektivat e zhvillimit të

marrëdhënieve mes dy vendeve,” u shpreh presidenti kinez.

Më tej Xi Jinping theksoi: “Unë dhe kryeministri Orban ishim të një mendjeje që Kina dhe Hungaria kanë qenë gjithmonë vende miq të mirë, me besim të ndërsjellë dhe që i kanë dhënë ndihmë njëri-tjetrit, si edhe partnerë të mirë bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta për një kohë të gjatë. Është e arsyeshme që ne të rrisim më tej nivelin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të pasurojmë përmbajtjen e bashkëpunimit midis dy vendeve. Ne jemi të gatshëm ta marrim krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Hungarisë në një epokë të re si një pikënisje të re dhe do të promovojmë ngritjen e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit praktik dypalësh në një nivel më të lartë.

“Ne jemi të mendimit se besimi reciprok politik i nivelit të lartë ka hedhur një themel të fortë për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Hungari,” u shpreh Xi. Të dyja palët janë të gatshme të ruajnë momentin e shkëmbimeve të ngushta të nivelit të lartë, të forcojnë dialogun dhe shkëmbimet ndërmjet qeverive, organeve legjislative e partive politike dhe të ndajnë përvojën në qeverisje. Pala kineze e vlerëson shumë respektimin e vendosur prej palës hungareze të parimit të “Një Kine” dhe do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Hungarinë në ndjekjen e një rruge zhvillimi që është në përputhje me kushtet e saj kombëtare.

Xi u shpreh më tej se të gjithë besojnë që ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë" përputhet shumë me strategjinë e Hungarisë "Hapje drejt Lindjes". Të dy palët do të forcojnë përafrimin e strategjive të zhvillimit, do të thellojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve e financave, do të promovojnë ndërtimin e projekteve kyçe si hekurudha Hungari-Serbi, do të zgjerojnë bashkëpunimin në industritë në zhvillim, do të kultivojnë forca të reja prodhuese dhe do të fuqizojnë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të të dy vendeve.

“Ne të gjithë besojmë se miqësia tradicionale midis Kinës dhe Hungarisë ka një themel të thellë. Të dyja palët do të vazhdojnë të mbështesin mësimin e gjuhëve të njëri-tjetrit në të dy vendet, të përdorin mirë platformat e qendrave kulturore të krijuara reciprokisht, të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në sport, media, pushtet vendor e fusha të tjera dhe të promovojnë mësimin e ndërsjellë midis qytetërimeve. Të dyja palët do të optimizojnë më tej politikat e tyre përkatëse të hyrje-daljes, do të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta midis dy vendeve dhe do të krijojnë kushte më të favorshme për zgjerimin e shkëmbimeve të dyanshme të personelit,” u shpreh Xi.

“Ne të gjithë besojmë se bashkëpunimi midis Kinës e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore u përmbahet konsultimeve të gjera, kontributit të përbashkët e përfitimeve të ndërsjella dhe ka dhënë një shembull të bashkëpunimit ndër-rajonal,” shtoi Xi. Kina dhe Hungaria do ta udhëheqin bashkëpunimin midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore për t'u zhvilluar në një shtrirje më të gjerë, në fusha më të shumta e nivele më të larta, në mënyrë që të përfitojnë më mirë popujt e të gjitha vendeve. Pala kineze i kushton rëndësi të madhe partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE dhe beson se Evropa është një pol i rëndësishëm në një botë shumëpolare dhe një partnere e rëndësishme në promovimin e modernizimit të stilit kinez.

Kina e mbështet Hungarinë për të luajtur një rol më të madh brenda BE-së dhe për t’ i nxitur marrëdhëniet Kinë-BE të arrijnë një zhvillim të ri dhe më të madh.

“Ne ramë dakord njëzëri që Kina dhe Hungaria kanë pikëpamje dhe qëndrime të ngjashme për situatën ndërkombëtare e rajonale dhe janë të gatshme të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh, të promovojmë multipolarizimin e barabartë e të rregullt botëror dhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës, si edhe të mbrojnë me vendosmëri barazinë dhe drejtësinë ndërkombëtare, duke nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit”, u shpreh presidenti i Kinës.

Xi Jinping-u theksoi më tej se aktualisht, Kina po promovon në mënyrë gjithëpërfshirëse ndërtimin e një vendi të fortë dhe rilindjen kombëtare nëpërmjet modernizimit të stilit kinez. Modernizimi i stilit kinez do t’i sjellë mundësi të mëdha botës. Kina është e gatshme të arrijë zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët me Hungarinë. Ai shprehu besimin se, me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, Kina dhe Hungaria do të kenë një të të ardhme më të ndritur!

Orban u shpreh nga ana e tij se e mirëpret ngrohtësisht vizitën shtetërore të presidentit Xi Jinping në Hungari me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Hungaria dhe Kina ushqejnë miqësi të thellë dhe marrëdhënie të qëndrueshme. Hungaria i përmbahet e vendosur parimit të “Një Kine”. Të dyja palët e respektojnë dhe e mbështesin njëra-tjetrën dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë ka favorizuar të dy popujt. “Faleminderit Kinës për ndihmën e çmuar gjatë kohëve të vështira të Hungarisë. Kina është një forcë e rëndësishme dhe pozitive në botën shumëpolare. Hungaria mbështet serinë e nismave globale të propozuara nga presidenti Xi Jinping dhe  vlerëson projektet e Kinës për të promovuar zgjidhjen paqësore të konflikteve rajonale, si kriza e Ukrainës. Hungaria është e gatshme të forcojë më tej marrëdhëniet e saj me Kinën, duke u bërë partnerë të fortë në procesin e realizimit të modernizimit të të dy vendeve,” theksoi Orban.

Në konferencën e shtypit morën pjesë edhe Cai Qi, Wang Yi dhe zyrtarë të tjerë.