Kryeministri kinez i kërkon Xinjiang-ut të nxitë mirëqenien e banorëve dhe zhvillimin cilësor
2024-05-10 19:42:48

Kryeministri kinez Li Qiang duke vizituar një kompani në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, 8 maj 2024. / “Xinhua”

Kryeministri kinez Li Qiang ka theksuar se Xinjiang-u duhet të punojë për të përmirësuar mirëqenien e njerëzve dhe për të nxitur qëndrueshmërinë afatgjatë ndërsa përpiqet për zhvillimin me cilësi të lartë.

Li, gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i tha këto gjatë turneut të tij të inspektimit në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, nga e marta deri të enjten.

Duke vënë në dukje se Xinjiang-u po nxit ndërtimin e zonës themelore të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshtë, Li u shpreh se Xinjiang-u gjithashtu duhet të lidhë më mirë rajonet e brendshme me vendet përgjatë Brezit Ekonomik dhe të shndërrohet në urë për hapjen drejt Perëndimit.

Pasi mësoi se numri i vizitorëve të huaj në Xinjiang është rritur ndjeshëm pas zbatimit të politikës së heqjes së vizave, kryeministri tha se duhet të forcohen shkëmbimet ndërkombëtare në fushat e tregtisë, arsimit, mjekësisë, kulturës dhe turizmit.

Ndërsa vizitoi kompanitë vendore, Li u shpreh që Xinjiang-u duhet të mbështesë zhvillimin e industrive konkurruese që përfitojnë nga forcat vendore të tilla si energjia, përpunimi i produkteve bujqësore dhe prodhimi i pajisjeve.

Ai u kërkoi autoriteteve të rajonit që të shtojnë punësimin dhe të ardhurat e banorëve dhe të nxisin unitetin e të gjitha kombësive.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se Xinjiang-u duhet ta ngrejë të tërë punën e vet në një nivel më të lartë dhe të japë një kontribut më të madh për zhvillimin e përgjithshëm të vendit.