Prilli 2024, muaji i 11-të radhazi me temperatura globale rekord
2024-05-09 14:46:22

Prilli i nxehte (Foto Atsh)

Prilli 2024 është cilësuar si muaji i 11-të radhazi me temperatura globale që kanë thyer rekordin, thanë shkencëtarët e BE-së.

Ky ishte prilli i parë i regjistruar me një temperaturë mesatare globale mbi 15 gradë Celsius, bëhet e ditur nga të dhënat e Shërbimit të BE-së për Ndryshimet Klimaterike “Copernicus”, citon “ATSH”.

Kreu i “Copernicus”, Carlo Buontempo, deklaroi se përqendrimi në rritje i gazeve serrë do të vazhdojë të nxisë temperaturat globale drejt rekordeve të reja.

“Temperatura e ajrit në sipërfaqe ishte mesatarisht 15.03 gradë Celsius në prill, 0.67 gradë Celsius më e lartë se mesatarja e prillit për vitet 1991 deri në 2020”,- bëri të ditur shërbimi.

Në Europë, prilli ishte 1.49 gradë Celsius më i ngrohtë se periudha e krahasueshme.

Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), Europa po nxehet më shpejt nga të gjitha kontinentet.

“Krahasuar me periudhën nga 1850 deri në 1900, periudha e referencës para industriale, muaji prill ishte 1.58 gradë Celsius më i ngrohtë globalisht”, sipas raportit.

Temperatura mesatare globale nga maji i 2023 deri në prill 2024 është më e larta që nga fillimi i regjistrimeve dhe është 1.61 gradë Celsius mbi mesataren para industriale.

Gjetjet bazohen në analizat e krijuara nga kompjuteri që përfshijnë miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë botën. Të dhënat e përdorura datojnë që nga viti 1950, me disa të dhëna të mëparshme të disponueshme gjithashtu. (Elona)