Kina rrit tregtinë me Amerikën e Jugut përmes rrugës së re
2024-05-09 14:43:15

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Anija “COSCO Shipping Argentina” u nis nga porti Tianjin të hënën, duke shënuar rrugën e parë të transportit direkt të rajonit Pekin-Tianjin-Hebei për në bregdetin lindor të Amerikës së Jugut. Kjo rrugë e re, e operuar nga 12 anije me një kapacitet prej 14.000 kontejnerë standarde secila, do të operojë në baza javore, shkruan “China Daily”.

Ajo do të sigurojë një kalim detar më të përshtatshëm për importimin e sojës, kafesë, kakaos, sheqerit, mishit të viçit dhe produkteve të tjera nga Amerika e Jugut, si dhe për eksportimin e nevojave të përditshme kineze.

Rruga e re ka reduktuar kohën e dorëzimit nga Tianjin në Brazil nga 54 ditë në vetëm 40 ditë. Për më tepër, kapaciteti për ngarkesat frigoriferike është rritur me 81 për qind, duke lehtësuar tregtinë midis rajoneve veriore të Kinës dhe vendeve dhe rajoneve në Amerikën e Jugut, sipas Portit të Tianjin.

Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Brazilit për 15 vjet rresht dhe Brazili është partneri më i madh tregtar dhe destinacioni i investimeve direkte të Kinës në Amerikën Latine.

Sipas Doganës Tianjin, në tremujorin e parë 2024, importet dhe eksportet e Portit Tianjin me Brazilin arritën në 28.82 miliardë juanë (3.99 miliardë dollarë), një rritje vjetore prej 36.6 për qind. Eksportet u vlerësuan në 6.22 miliardë juanë, 5.9 për qind më shumë në baza vjetore dhe importet arritën në 22.6 miliardë juanë, 48.4 për qind më shumë në baza vjetore.

Për të siguruar funksionimin pa probleme të rrugës së re dhe zhdoganimin efikas për mallrat e importit dhe eksportit, Dogana Tianjin ka krijuar një mekanizëm të koordinuar që përfshin doganat, portet, logjistikën dhe ndërmarrjet, për të ofruar një përvojë të përshtatshme zhdoganimi. (Elona)