Foto nga CFP
Kina kohët e fundit ka vendosur të përfshijë dekstrometorfanin, një frenues i kollës i lidhur me mbidoza tek adoleshentët, në katalogun e saj kombëtar të barnave psikotrope të kategorisë II, një lëvizje për të forcuar më tej kontrollet mbi përdorimin dhe shitjen e ilaçeve, shkruan China “Daily”.
Vendimi u njoftua në një qarkore të publikuar së bashku të martën nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore, Ministria e Sigurisë Publike dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe do të hyjë në fuqi më 1 korrik.
Ky medikament zakonisht përshkruhet për të lehtësuar kollitjen e shkaktuar nga ftohja e zakonshme dhe infeksionet e tjera të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Strukturalisht është e ngjashme me substancën opioide kodeinë, por konsiderohej pa varësi dhe shitej pa recetë.
Megjithatë, ekspertët mjekësorë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e tij, duke thënë se përdorimi i tepërt mund të rezultojë në ndjenja eksitimi, euforie dhe halucinacionesh.
Ky ilaç është gjithashtu në listën e medikamenteve që janë të ndaluara të shiten në internet.
Përfshirja e tij në katalogun kombëtar të barnave psikotrope të kategorisë II do të thotë që shitësit e barnave duhet ta shesin ilaçin në përputhje me dozat e përshkruara dhe bazuar në recetat e lëshuara nga mjekët. Recetat duhet të mbahen për dy vjet dhe ilaçi është i ndaluar t'u shitet të miturve, sipas administratës. (Elona)