Xinhua
Kina ka përfunduar vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe zonimin e rrezikut në nivel kombëtar, provincial, në nivel bashkie dhe qarku, bazuar në rezultatet e sondazhit të parë kombëtar të vendit mbi rreziqet e fatkeqësive natyrore.
Sondazhi përfshin rezultatet nga vlerësimi i rrezikut dhe zonalizimi, i kategorizuar sipas llojeve të fatkeqësive natyrore, të 31 rajoneve të nivelit provincial, si dhe Korpusit të Prodhimit dhe Ndërtimit të Xinjiang, 333 bashki dhe 2846 qarqe, deklaroi Zheng Guoguang, drejtor i Zyrës së Sondazhit të parë kombëtar mbi Rreziqet e Fatkeqësive Natyrore nën Këshillin e Shtetit.
Në përfundim është përpiluar një hartë gjithëpërfshirëse e rrezikut dhe një hartë zonale për parandalimin dhe kontrollin e fatkeqësive natyrore, së bashku me hartën e zonave të rrezikut të intensitetit sizmik, parandalimin e fatkeqësive gjeologjike dhe kontrollin e përmbytjeve në lumenjtë kryesorë, citon “Xinhua”.
Kina ka krijuar gjithashtu një bazë të dhënash kombëtare për rreziqet nga fatkeqësitë natyrore, duke përfshirë nënbazat e të dhënave në 31 rajone të nivelit provincial dhe 10 industri, bazuar në rezultatet e sondazhit, shtoi Zheng.
Sondazhi mbarëkombëtar, i cili zgjati nga viti 2020 deri në vitin 2022 dhe përfshiu 5 milionë njerëz, mblodhi një sasi të madhe të dhënash për rreziqet natyrore. (Elona)