BE bie dakord për një ligj të ri për krimet kundër grave
2024-05-09 15:04:30

Ligj për gratë (Foto RTSH)

Ligj për gratë (Foto RTSH)

Ministrat e Drejtësisë dhe Barazisë Gjinore të BE-së kanë rënë dakord për një ligj të ri, që kërkon nga shtetet anëtare të specifikojnë krime të veçanta kundër grave në legjislacionin kombëtar, përfshirë gjymtimin gjenital, martesën e detyruar dhe ndarjen jokonsensuale të imazheve intime, bën të ditur “RTSH”.  Ligji i ri është i pazakontë sepse BE-ja rrallëherë nxjerr ligje për çështjet penale, të cilat zakonisht u lihen shteteve anëtare.

Rregullat e reja mund të rezultojnë në dënime më të ashpra për krime të tilla, në varësi të dënimeve të parashikuara tashmë nga ligjet kombëtare.

Për shembull, ligji kërkon që çdo vend të sigurojë që dënimi maksimal për gjymtimin gjenital femëror të jetë të paktën me pesë vjet burg.

Shtetet anëtare do të lejohen të caktojnë dënimin maksimal më të lartë se sa parashikohet në ligjin e ri të BE-së, por jo më të ulët.

Publikimi i imazheve seksualisht eksplicite të dikujt pa pëlqimin e tyre dhe kur një sjellje e tillë ka të ngjarë të shkaktojë dëm serioz ndaj atij personi do të dënohej me të paktën një vit burg.

Ligji gjithashtu kërkon që shtetet anëtare të kriminalizojnë krijimin e imazheve të rreme seksualisht eksplicite të njerëzve të vërtetë pa pëlqimin e tyre, përsëri kur një sjellje e tillë ka të ngjarë të shkaktojë dëm serioz. (Elona)