Antonio Guterres (Foto The Times of Israel)
Me rritjen e tensioneve në Gaza, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri sërish thirrje Izraelit dhe Hamasit që të demonstrojnë guxim politik dhe të arrijnë një armëpushim.
Duke folur me gazetarët në selinë e OKB-së në Nju Jork, Guterres theksoi gjendjen kritike në Rripin e Gazës, veçanërisht në Rafah, që kufizohet me Egjiptin dhe është mbingarkuar me palestinezë të zhvendosur, citon “Xinhua”.
Guterres shprehu shqetësimin për situatën humanitare, duke vënë në dukje se ndihmat thelbësore dhe furnizimet me karburant janë thuajse në fund.
“Mbyllja e të dy vendkalimeve Rafah dhe Karem Shalom është veçanërisht e dëmshme për një situatë tashmë të rëndë humanitare. Ato duhet të rihapen menjëherë”,- tha ai.
Shefi i OKB-së nënvizoi pasojat e rënda të luftimeve të vazhdueshme, veçanërisht çdo sulm të mundshëm në shkallë të plotë në Rafah, të cilin ai e përshkroi si një katastrofë njerëzore të afërt. (Elona)