Sulme me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase
2024-05-09 12:02:07

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Zyrtarët ukrainas njoftuan se ushtria ruse goditi të mërkurën infrastrukturën e rëndësishme ukrainase në të paktën gjashtë rajone.

Sipas tyre, dhjetëra dronë dhe raketa u lëshuan gjatë sulmit. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë në kryeqytetin Kiev.

Ata raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk raportohet për viktima, shkruan "Panorama".

Ministri ukrainas i Energjisë, Herman Halushchenko, e cilësoi si një tjetër sulm të madh në industrinë e energjisë.

Ai tha se synimi i sulmit ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinitsia.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi përmes një postimi në “Telegram” se Rusia kreu sulme me të paktën 50 raketa dhe 20 dronë.

Ai theksoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit dhe të Pajtimit, të cilën Kombet e Bashkuara e shpallën për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.

Rusia e ka sulmuar pareshtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës që prej nisjes së konfliktit në shkurt 2022. (Elona)