Në paraditen e së enjtes sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim në Pallatin “Sandor” në Budapest me homologun hungarez Tamás Sulyok.
Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se Hungaria ishte një nga vendet e para që njohu Kinën e Re. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dyja vendet e kanë respektuar gjithmonë njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën si të barabartë dhe kanë synuar përfitimet e ndërsjella. Marrëdhëniet dypalëshe u kanë bërë ballë provave të sjella nga ndryshimet ndërkombëtare dhe të dy vendet janë shndërruar nga miq ndërkontinentalë e partnerë bashkëpunimi miqësor në partnerë të gjithanshëm strategjikë. Marrëdhëniet kino-hungareze ndodhen tani në periudhën më të mirë në histori. Miqësia tradicionale është rrënjosur thellë në zemrat e popujve dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme është frytdhënës. Ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Hungarisë. Pala kineze është e gatshme të punojë me palën hungareze për të trashëguar miqësinë tradicionale, për të thelluar besimin e ndërsjellë politik, për të forcuar bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe për t’i ngritur marrëdhëniet Kinë-Hungari në një nivel më të lartë.
Presidenti kinez theksoi se gjatë 75 viteve të fundit, marrëdhëniet kino-hungareze kanë ruajtur një zhvillim të qëndrueshëm. Të dyja palët duhet të përmbledhin përvojat e tyre të vyera dhe të tregojnë rrugën përpara.
Së pari, tha Xi, duhet të këmbëngulim në trajtimin e barabartë reciprok, duke ndjekur një rrugë zhvillimi në përputhje me kushtet tona kombëtare dhe duke e mbajtur të ardhmen dhe fatin tonë fort në duart tona. Miqësia tradicionale midis Kinës dhe Hungarisë nuk drejtohet kundër ndonjë pale të tretë dhe as nuk kufizohet nga ndonjë palë e tretë.
Së dyti, shtoi ai, duhet të këmbëngulim në besimin dhe ndihmën e ndërsjellë, ta mirëkuptojmë njëri-tjetrin dhe të mbështesim gjithmonë mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të njëri-tjetrit.
Së treti, duhet të këmbëngulim në bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, të zgjerojmë bashkëpunimin në fusha të ndryshme në kuadër të ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe të promovojmë integrimin e strategjive të zhvillimit, theksoi ai.
Së katërti, vijoi kreu i shtetit kinez, duhet të këmbëngulim në drejtësinë dhe barazinë, të qëndrojmë në anën e drejtë të historisë dhe të përpiqemi të japim kontribut për kauzën e paqes dhe zhvillimit njerëzor.
Xi Jinping-u theksoi më tej se Kina po promovon në mënyrë gjithëpërfshirëse ndërtimin e një vendi të fuqishëm dhe kauzën e madhe të përtëritjes kombëtare me modernizimin e stilit kinez, gjë që do t’i sjellë mundësi të mëdha botës. Kina mirëpret miqtë hungarezë “të hipin në trenin e shpejtë” të zhvillimit të modernizimit të stilit kinez, dhe është e gatshme të vazhdojë të thellojë besimin e ndërsjellë politik me Hungarinë, të promovojë integrimin më të ngushtë të modernizimit të stilit kinez dhe strategjisë së Hungarisë "Hapje drejt Lindjes", të shfrytëzojë potencialin e bashkëpunimit pragmatik dhe të vazhdojë të zgjerojë shkëmbimet në fusha të ndryshme. Kina është e gatshme të punojë me Hungarinë për të vazhduar udhëheqjen në drejtimin e duhur të bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe të promovojë një bashkëpunim më të thelluar dhe më solid. Ai shprehu shpresën se Hungaria do të shfrytëzojë mundësinë e marrjes së presidencës së radhës të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.
Presidenti hungarez Tamás Sulyok tha nga ana e tij se ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Hungarisë dhe Kinës. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dy vendet i kanë zhvilluar gjithmonë lidhjet dypalëshe në frymën e respektit dhe besimit të ndërsjellë. Që nga krijimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik në vitin 2017, bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme ka arritur rezultate pozitive. “Falë propozimit nga Presidenti Xi Jinping të nismës ‘Një brez, një rrugë’, Hungaria ka përfituar shumë nga bashkëpunimi në ndërlidhjen e infrastrukturës dhe fusha të tjera. Presidenti Xi Jinping propozoi Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global dhe ka bërë thirrje për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, gjë që është thelbësore për zgjidhjen e sfidave të ndryshme me të cilat përballet bota aktuale dhe parandalimin e konfrontimit midis kampeve, dhe pala hungareze e vlerëson shumë këtë,” u shpreh Sulyok. Forcimi i bashkëpunimit me Kinën është politika e vendosur e Hungarisë, vijoi më tej ai, duke shtuar që Hungaria pret me padurim thellimin e shkëmbimeve me Kinën, forcimin e strategjive të zhvillimit dhe promovimin e projekteve kyçe të bashkëpunimit, si hekurudha Hungari-Serbi, për të sjellë më shumë përfitime për njerëzit.
“Unë besoj se vizita historike e Presidentit Xi Jinping do ta ngrejë patjetër partneritetin e gjithanshëm strategjik Hungari-Kinë në një nivel të ri dhe më të lartë. Kina ka teknologji dhe përvojë të përparuar në transformimin e gjelbër dhe energjinë e pastër, dhe ne mirëpresim më shumë kompani kineze për të investuar dhe bashkëpunuar në Hungari,” tha Sulyok.
Ai shprehu shpresën se të dyja palët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në drejtim të shkollave dygjuhëshe hungarisht-kinezisht e instituteve “Konfuci” dhe të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin kulturor dhe gjuhësor midis tyre.