Deklaratë e përbashkët e Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Serbisë për thellimin dhe ngritjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik, dhe ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re
2024-05-09 00:48:53

Me ftesë të presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping po bën një vizitë shtetërore në Republikën e Serbisë nga data 7 deri më 8 maj 2024.

Të dy krerët e shteteve zhvilluan bisedime në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke shkëmbyer mendime në mënyrë të thellë për marrëdhëniet Kinë-Serbi, thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", bashkëpunimin Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, marrëdhëniet Kinë-BE dhe çështje të tjera ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, duke arritur konsensus të gjerë.

Foto: VCG

Foto: VCG

Të dyja palët ranë dakord që Kina dhe Serbia e çmojnë miqësinë e fortë tradicionale dhe bashkëpunimin e ngushtë në fusha të ndryshme, kanë pasur rezultate të frytshme gjatë koordinimit  shumëpalësh, dhe zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe ka perspektiva të gjera. Megjithëse të dy vendet kanë histori, kultura dhe kushte kombëtare të ndryshme, ato u përmbahen frymës së hapjes dhe bashkëpunimit, parimeve të barazisë dhe drejtësisë, u përkushtohen lumturisë së popullit,  lulëzimit të vendit dhe kauzës fisnike të zhvillimit paqësor të njerëzimit, duke qenë të mendimit se zhvillimi dhe përparimi i një vendi është mundësi e jo sfidë për vendet e tjera. Serbia mbështet përpjekjet për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe është e gatshme të punojë me Kinën për të vënë në jetë Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global.

Të dyja palët vlerësuan lart thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe që nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Serbisë në vitin 2016 për krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik dhe ranë dakord t'u përmbahen parimeve të pavarësisë, respektit e besimit të ndërsjellë, bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, zhvillimit të përbashkët dhe mbështetjes reciproke, ta thellojnë dhe ta ngrenë partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-Serbi, të ndërtojnë një bashkësi me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re, t’i përkushtohen shtimit të mirëqenies së të dy popujve dhe të japin kontribute të reja për kauzën e paqes dhe përparimit njerëzor. Të dyja palët deklarojnë si më poshtë:

1. Kina vlerëson lart arritjet e Serbisë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomiko-shoqëror dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, dhe sheh me kënaqësi përparimin e mbarë të planeve të zhvillimit si “Serbia 2027 – Hovi drejt së ardhmes" dhe arritjen e objektivave të të përcaktuara sipas planit, për nxitjen e zhvillimit të Serbisë dhe të mirëqenies së popullit.

Serbia i vlerëson lart arritjet dhe ndryshimet historike të Kinës në epokën e re dhe i uron popullit kinez, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, të ndërtojë plotësisht një vend socialist modern e të fuqishëm dhe të arrijë Objektivin e Njëqindvjetorit të Dytë. Serbia mbështet Kinën në promovimin e gjithanshëm të ndërtimit të një vendi të fuqishëm dhe kauzës së madhe të rilindjes kombëtare përmes modernizimit të stilit kinez.

2. Të dyja palët mendojnë se zhvillimi i dialogut të shpeshtë politik ndërmjet niveleve më të larta të të dy vendeve ka një rëndësi të madhe për forcimin e marrëdhënieve Kinë-Serbi dhe bien dakord të vazhdojnë të mbajnë shkëmbime të ngushta midis dy krerëve të shteteve nëpërmjet takimeve, telefonatave dhe letrave.

Të dy palët janë të gatshme të thellojnë vazhdimisht miqësinë mes dy vendeve, duke shfrytëzuar  mekanizma të tilla si Komiteti i Bashkëpunimit Legjislativ Kinë-Serbi, Komiteti i Përzier Ekonomiko-Tregtar dhe Komiteti i Përbashkët për Bashkëpunimin Tekniko-Shkencor, për të forcuar shkëmbimet e bashkëpunimin në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat.

Të dyja palët do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet ministrive të jashtme, të zhvillojnë takime e konsultime të rregullta në të gjitha nivelet për të shkëmbyer pikëpamjet dhe të bashkërendojnë qëndrimet në kohën e duhur për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e nxehta ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, të vazhdojnë të forcojnë shkëmbimet ndërmjet partive politike të të dy vendeve, të thellojnë shkëmbimin e përvojave qeverisëse dhe të nxisin bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.

3. Të dyja palët do të mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën në çështjet që përfshijnë interesat thelbësore të njëra-tjetrës në bazë të respektimit të sovranitetit kombëtar, të tërësisë territoriale dhe të parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Serbia rithekson se zhvillimi i marrëdhënieve miqësore me Republikën Popullore të Kinës është një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të saj. Serbia përsërit mbështetjen e saj të vendosur ndaj parimit të “Një Kine” dhe pohon se në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është një pjesë e pandashme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson gjithë Kinën. Serbia kundërshton çdo formë të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ndërhyrjeje në punët e brendshme të Kinës, duke përsëritur se nuk do të zhvillojë asnjë formë shkëmbimi zyrtar me autoritetet e Tajvanit dhe do të mbështesë me vendosmëri të gjitha përpjekjet e qeverisë kineze për të arritur ribashkimin kombëtar.

Të dyja palët kundërshtojnë çfarëdo zgjidhjeje me detyrim për statusin përfundimtar të Kosovës. Palët përkatëse duhet të arrijnë një zgjidhje të pranueshme përmes dialogut e konsultimeve brenda kornizës së Rezolutës nr. 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë këtij procesi, sovraniteti, pavarësia dhe tërësia territoriale e Serbisë duhet të respektohen plotësisht. Kina mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për të kërkuar një zgjidhje kompromisi në mënyrë paqësore gjatë negociatave me përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës dhe bën thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun Beograd-Prishtinë, për të mbrojtur në mënyrë efektive trashëgiminë fetare dhe kulturore të këtij rajoni. Krijimi i Asosacionit të Komunave Serbe është një pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe duhet të vihet në jetë.

Kina i kupton përpjekjet e Serbisë për t'u anëtarësuar në BE dhe mirëpret politikën e Serbisë për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me vendet e rajonit dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Të dyja palët ranë dakord që çështja e Detit të Kinës Jugore duhet të zgjidhet nëpërmjet konsultimeve miqësore dhe negociatave ndërmjet palëve të interesuar drejtpërdrejt sipas marrëveshjeve dypalëshe dhe Deklaratës për Kodin e Sjelljes të Palëve në Detin e Kinës Jugore, duke zgjidhur në mënyrë paqësore problemet territoriale dhe mosmarrëveshjet detare.

4. Të dy palët do të shfrytëzojnë zhvillimin cilësor të ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" si një pikënisje, do t’i vënë në jetë si duhet rezultatet e Forumit të tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë", do të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin në fushat e ekonomisë e tregtisë, të investimeve, të shkencës e teknologjisë, inovacionit, të dhënave digjitale, informacionit e telekomunikacionit etj., duke mbrojtur së bashku sigurinë e projekteve dhe të personelit të këtyre projekteve, për të hedhur bazën për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re.

Të dy palët do të zbatojnë në mënyrë aktive "Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë" të nënshkruar në Pekin në tetorin e vitit 2023 dhe "Planin afatmesëm të veprimit për ndërtimin e përbashkët të ‘Një brez, një rrugë’ ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë (2023-2025)".

Të dyja palët mirëpresin prirjen pozitive të zhvillimit të tregtisë kino-serbe dhe janë të gatshme të promovojnë zhvillimin e balancuar të tregtisë dypalëshe. Kina është e gatshme të zgjerojë importet e produkteve bujqësore dhe produkteve të tjera serbe të cilësisë së lartë dhe të përshpejtojë miratimin e lejeve të kontrollit dhe karantinës për kategori të veçanta të produkteve bujqësore dhe produkteve shtazore serbe. Të dyja palët janë të gatshme të zgjerojnë përdorimin e trenave të mallrave Kinë-Evropë dhe Kina është e gëzuar të shohë më shumë produkte serbe të cilësisë së lartë të transportohen në tregun kinez përmes trenave të mallrave Kinë-Evropë.

Të dyja palët vlerësojnë lart rezultatet e arritura në bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, si dhe përshëndesin përmirësimin e “Marrëveshjes ekonomike dhe teknike ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë në fushën e infrastrukturës”, do të forcojnë më tej bashkëpunimin konkret dypalësh në aspekte si ndërtimi i infrastrukturës së transportit, ndërlidhshmëria, energjia e pastër, investimet industriale, bujqësia, zonat e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar etj.

Të dy palët janë të gatshme të forcojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e gjeologjisë dhe minierave, të kryejnë së bashku kërkime shkencore mbi burimet ujore karstike, ekologjinë karstike etj., të promovojnë ndërtimin e stacioneve të monitorimit të zonave kritike karstike në Serbi dhe të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin praktik në fusha të tilla si vlerësimi i burimeve kyçe minerale, si edhe mirëpresin nënshkrimin e “Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e gjeologjisë dhe të minierave ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.

Të dyja palët do të zbatojnë “Memorandumin e mirëkuptimit për promovimin e zbatimit të Nismës së Zhvillimit Global”, do të promovojnë së bashku zbatimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit në tetë fusha kryesore dhe do të promovojnë arritjen sa më parë të rezultateve të Nismës së Zhvillimit Global në Serbi.

Të dy palët janë të gatshme të kryejnë në mënyrë efektive bashkëpunimin në fushat e ekonomisë digjitale e të zhvillimit të gjelbër dhe të vazhdojnë të promovojnë zbatimin e "Memorandumit të mirëkuptimit për nxitjen e bashkëpunimit të investimeve në fushën e zhvillimit të gjelbër ndërmjet Kinës dhe Serbisë" dhe "Memorandumit të mirëkuptimit për nxitjen e bashkëpunimit të investimeve në ekonominë digjitale ndërmjet Kinës dhe Serbisë" të nënshkruara në vitin 2022, duke shfrytëzuar plotësisht rolin e mekanizmit të Grupit të Punës të Bashkëpunimit për Investimet Kinë-Serbi. Mirëpresim nënshkrimin e "Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm" dhe "Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e ekonominë digjitale" dhe do të promovojmë në mënyrë aktive zbatimin e projekteve specifike të bashkëpunimit. Në të njëjtën kohë, si pjesëmarrëse në Nismën Kornizë të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar Ndërkombëtar për Ekonominë Digjitale dhe Zhvillimin e Gjelbër, të dyja palët janë të gatshme të punojnë për të kryer në mënyrë aktive bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në fushat përkatëse me të gjitha palët e tjera.

Të dy palët janë të gatshme të forcojnë bashkëpunimin financiar, të mbështesin hapjen sa më shpejt të bankës serbe të kleringut në RMB, të promovojnë përdorimin e pagesave në monedhat vendase në tregtinë e investimet dypalëshe dhe të inkurajojnë institucionet financiare të të dy vendeve që të ofrojnë mbështetje financiare dhe shërbime financiare për bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe të investimeve.

Të dyja palët i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën e tregtisë elektronike dhe mirëpresin nënshkrimin e “Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin tregtinë elektronike ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.

Të dyja palët i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit e komunikimit dhe besojnë se forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e informacionit e komunikimit ka një rëndësi të madhe për forcimin e lidhjeve dhe thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Serbi. Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh me Serbinë në infrastrukturën e komunikimit, teknologjinë 5G, informatikën cloud, të dhënat e mëdha, pajisjet fotovoltaike inteligjente dhe fusha të tjera, për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë në fushën e informacionit dhe komunikimit.

Të dyja palët ranë dakord që inteligjenca artificiale duhet t'i përmbahet parimit të theksimit të barabartë të zhvillimit dhe sigurisë, të kapërcejnë hendekun në fushën e inteligjencës, të parandalojnë së bashku rreziqet dhe të eksplorojnë formimin e një kuadri qeverisjeje ndërkombëtare për inteligjencën artificiale me Kombet e Bashkuara si kanalin kryesor të komunikimit. Të dy palët janë të gatshme të forcojnë koordinimin e politikave në fushën e inteligjencës artificiale, të krijojnë mekanizma përkatës të dialogut, të thellojnë bashkëpunimin praktik përkatës dhe të promovojnë bashkëpunimin në teknologjinë e inteligjencës artificiale. Serbia mirëpret Nismën e Qeverisjes Globale të Inteligjencës Artificiale të shpallur nga presidenti Xi Jinping dhe përpjekjet e Kinës për të forcuar të drejtat e vendeve në zhvillim në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale.

Të dy palët ranë dakord të zhvillojnë së bashku forca të reja cilësore prodhuese dhe të ndërtojnë projekte të bashkëpunimit industrial të teknologjisë së lartë bazuar në kushtet vendore, si edhe të inkurajojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në fushën e investimeve. Të dyja palët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe teknologjisë hapësinore. Kina mirëpret Serbinë t'i bashkohet Stacionit Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e thellimit të vazhdueshëm të bashkëpunimit në inovacionin shkencor e teknologjik dhe do të promovojnë në mënyrë aktive arritjen e rezultateve më praktike në shkëmbimet e shkencëtarëve të rinj, zbutjen e varfërisë përmes shkencës e teknologjisë, transferimin e teknologjisë, kërkimin e përbashkët dhe ndërtimin e përbashkët të platformave të kërkimit shkencor. Të dy palët mirëpresin nënshkrimin e “Memorandumit të mirëkuptimit për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë ndërmjet Kinës dhe Serbisë". Kina mirëpret më shumë shkencëtarë të rinj serbë për t'u angazhuar në kërkime shkencore afatshkurtra në Kinë.

Të dy palët janë të gatshme të promovojnë bashkërisht ndërtimin e mekanizmit ndërkombëtar të bashkëpunimit për parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe menaxhimin e emergjencave në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, zbatimin e "Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e parandalimit të fatkeqësive natyrore dhe menaxhimit të emergjencave" dhe “Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e sigurisë në punë”, dhe thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit mes dy palëve për menaxhimin e fatkeqësive kombëtare dhe sigurisë në punë.

5. Të dy palët besojnë se projekti i modernizimit të hekurudhave Hungari-Serbi është i një rëndësie të madhe për forcimin e lidhjes midis Serbisë e rajonit dhe hap perspektiva të reja për lehtësimin e fluksit të njerëzve, zgjerimin e qarkullimit të mallrave dhe shkëmbimeve ekonomike në rajon. Të dy palët i çmojnë lart rezultatet e arritura në ndërtimin e seksionit serb të hekurudhës dhe do të vazhdojnë të punojnë fort për të nxitur përfundimin e ndërtimit të këtij seksioni sipas afatit, për të kontribuuar në përmirësimin e lidhjes rajonale. Kina është e gatshme të inkurajojë ndërmarrjet e saj që të vazhdojnë të marrin pjesë në projektet e lidhjes rajonale në përputhje me parimet tregtare dhe të tregut. Të dy palët janë të gatshme të forcojnë bashkëpunimin për të garantuar sigurinë e hekurudhës që kalon nëpër Serbi.

6. Të dy palët i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe bioteknologjisë. Kina është e gatshme të forcojë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh me Serbinë në fushat e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve, reagimit ndaj emergjencave shëndetësore, telemjekësisë dhe mjekësisë tradicionale, duke nxitur ndërtimin e një komuniteti shëndetësor të njerëzimit dhe pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e projekteve të parqeve industriale të bioteknologjisë në Serbi.

7. Të dy palët i kushtojnë rëndësi të madhe dhe janë të gatshme të forcojnë bashkëpunimin në fushat humane si kultura, arsimi, sporti, turizmi, radio-televizioni dhe lajmet e komunikimi, të mbështesin shkëmbimet e dyanshme të studentëve, të përkrahin shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet universiteteve në të dy vendet dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e kinematografisë dhe televizionit, mediave dhe produkteve audiovizuale në internet dhe fusha të tjera.

Të dyja palët vlerësojnë lart rolin që marrëveshja ndërmjet Kinës dhe Serbisë për heqjen e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave të zakonshme e nënshkruar në vitin 2016 ka luajtur në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, nxitjen e bashkëpunimit dypalësh dhe nxitjen e shkëmbimeve njerëzore e turistike, dhe janë të gatshme për të krijuar më shumë mundësi për shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve. Të dyja palët shprehin kënaqësinë për funksionimin e linjave ajrore të drejtpërdrejta ndërmjet Kinës e Serbisë dhe inkurajojnë kompanitë ajrore të të dy vendeve që të shtojnë më shumë linja ajrore të drejtpërdrejta në përputhje me parimet e tregut. Vazhdimi i zbatimit të "Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për njohjen reciproke dhe zëvendësimin e lejeve të drejtimit të automjeteve" për të lehtësuar më tej punën dhe jetën e qytetarëve të të dy vendeve në vendet e njëri-tjetrit.

8. Të dyja palët vlerësojnë lart rolin pozitiv të mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Serbia i pranon shumë, i mbështet plotësisht dhe është e gatshme të vazhdojë të marrë pjesë aktive në bashkëpunimet e ndryshme në kuadër të Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Të dyja palët do të punojnë me vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të bashkëpunimit brenda mekanizmit.

9. Të dy palët theksuan nevojën për t'iu përmbajtur rendit ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, për të respektuar parimet e pavarësisë, barazisë, sovranitetit e integritetit territorial të të gjitha vendeve, për t'iu përmbajtur bashkëpunimit shumëpalësh me Kombet e Bashkuara në thelb dhe mbrojtjes së multilateralizmit të vërtetë.

Të dyja palët mbrojnë një shumëpolarizim të barabartë e të rregullt botëror dhe globalizim ekonomik universal e gjithëpërfshirës, këmbëngulin që të gjitha vendet, të mëdha ose të vogla, të jenë të barabarta, si edhe kundërshtojnë hegjemonizmin e politikën e forcës dhe format e ndryshme të unilateralizmit dhe proteksionizmit.

Të dyja palët mbështesin Kombet e Bashkuara për të luajtur një rol udhëheqës në zgjidhjen e problemeve globale, ruajtjen e paqes botërore dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët, dhe mbrojnë forcimin e rolit dhe autoritetit të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit të saj. Të dyja palët mbështesin rritjen e përfaqësimit të vendeve në zhvillim përmes reformës së Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të saj, dhe mbrojnë idenë që vendet anëtare duhet të kërkojnë një zgjidhje "paketë" dhe të arrijnë konsensus përmes konsultimeve demokratike mbi bazën e konsensusit të gjerë. Të dyja palët janë të gatshme të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin në Kombet e Bashkuara e organizata të tjera ndërkombëtare dhe të punojnë së bashku për të promovuar paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe prosperitetin global dhe rajonal.

Të dyja palët besojnë se promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është një kauzë e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Vendet e ndryshme duhet të bashkëpunojnë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në bazë të respektit reciprok dhe trajtimit të barabartë. Të drejtat e njeriut nuk duhet të politizohen ose të instrumentalizohen për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera. Të dyja palët do të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në forumet shumëpalëshe të të drejtave të njeriut dhe do të promovojnë zhvillimin e qeverisjes globale të të drejtave të njeriut në një mënyrë më të barabartë.

10. Të dy palët mbështesin përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të promovuar një zgjidhje politike të krizës ukrainase dhe për të promovuar një armëpushim midis Palestinës dhe Izraelit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të parandalojnë efektet e mëtejshme të përhapjes dhe të ruajnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale. Të dyja palët përsëritin kundërshtimin e tyre ndaj konfrontimit midis kampeve dhe ndaj veprimeve të çdo vendi apo grupi vendesh që provokojnë konflikte dhe dëmtojnë interesat e sigurisë së vendeve të tjera.

11. Bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin kundër terrorizmit, të shfrytëzojë plotësisht rolin koordinues qendror të Kombeve të Bashkuara dhe të përdorë mjete gjithëpërfshirëse për të trajtuar simptomat dhe shkaqet rrënjësore të terrorizmit. Të dyja palët kundërshtojnë ndjekjen e standardeve të dyfishta në çështjet kundër terrorizmit dhe politizimin e instrumentalizimin e luftës kundër terrorizmit. Të dyja palët do të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin kundër terrorizmit në kuadër dypalësh dhe brenda kornizave shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara.

Të dyja palët besojnë se zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet departamenteve gjyqësore, të zbatimit të ligjit, të sigurisë dhe departamenteve të tjera ka një rëndësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit të sigurisë midis dy vendeve dhe do të vazhdojnë të promovojnë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Të dyja palët janë të gatshme të forcojnë kontaktet dhe bashkëpunimin midis departamenteve të imigracionit në fusha të tilla si mashtrimi në telekomunikacion, krimi ekonomik, korrupsioni ndërkufitar e fusha të tjera dhe të thellojnë bashkëpunimin praktik në inspektimet kufitare hyrëse dhe dalëse, lehtësimin e shkëmbimeve të personelit, luftimin e aktiviteteve të imigracionit të paligjshëm dhe forcimin e aftësive për zbatimin e ligjit.

12. Të dyja palët besojnë se vizita shtetërore e Presidentit Xi Jinping në Republikën e Serbisë dhe bisedimet e komunikimi i frytshëm mes dy krerëve të shtetit janë të një rëndësie të madhe për nxitjen e mëtejshme të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore Kinë-Serbi.

Presidenti Xi Jinping shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për Presidentin Vuçiç dhe popullin serb për pritjen e tyre madhështore, të përzemërt e miqësore dhe e ftoi Presidentin Vuçiç ta vizitojë përsëri Kinën. Presidenti Vuçiç shprehu mirënjohjen e tij dhe e pranoi me kënaqësi ftesën.

Kjo deklaratë është nënshkruar në Beograd më 8 maj 2024, në dy kopje, secila e shkruar në gjuhën kineze dhe serbe, të dy tekstet janë njëlloj autentike.

Presidenti i Republikës Popullore të Kinës

Xi Jinping (nënshkruar)

President i Republikës së Serbisë

Aleksandar Vuçiç (nënshkruar)