Presidenti kinez Xi Jinping takon homologun hungarez Tamás Sulyok
2024-05-09 19:37:08

Në mëngjesin e së enjtes sipas orës vendore, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pallatin “Sándor” në Budapest me presidentin e Hungarisë Tamás Sulyok.

Foto: VCG

Foto: VCG

Presidenti kinez shprehu kënaqësinë e tij që viziton një vend të bukur si Hungaria dhe që u njoh me presidentin Sulyok. Xi e falënderoi homologun hungarez për ftesën dhe për organizimin e mirëmenduar. Ai e përshkroi presidentin Sulyok si një burrë shteti me përvojë e një ekspert ligjor në Hungari dhe e vlerësoi për përkushtimin e gjatë ndaj forcimit të miqësisë kino-hungareze dhe për kontributin pozitiv në zhvillimin e lidhjeve dypalëshe. Kreu i shtetit i Kinës shprehu gatishmërinë e tij për të nxitur një marrëdhënie të mirë pune dhe miqësi me homologun hungarez, për të rritur shkëmbimet dhe komunikimin për çështje me interes të përbashkët dhe për të promovuar së bashku zhvillimin e nivelit të lartë të marrëdhënieve kino-hungareze.

Hungaria është një nga vendet e para që ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. Që prej asaj kohe, Kina dhe Hungaria e kanë respektuar gjithmonë njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën si të barabartë dhe kanë synuar përfitimet reciproke. Marrëdhëniet dypalëshe i kanë qëndruar provës së ndryshimit të gjendjes ndërkombëtare dhe kanë vazhduar të rriten në thellësi, nga miqësia në një partneritet miqësor e bashkëpunues dhe më pas në një partneritet të gjithanshëm strategjik. Marrëdhëniet kino-hungareze ndodhen tani në periudhën më të mirë në histori. Miqësia tradicionale ka zënë rrënjë thellë në zemrat e njerëzve dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka dhënë rezultate të frytshme. Ky vit shënon 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Hungari. Presidenti Xi shprehu gatishmërinë e tij për të punuar me presidentin Sulyok për ta çuar përpara miqësinë tradicionale, për të thelluar besimin e ndërsjellë politik, për të forcuar bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta dhe për të drejtuar ngritjen e marrëdhënieve kino-hungareze në nivele më të larta.