Krerët e shtetit të Kinës dhe Serbisë takohen me gazetarët
2024-05-09 01:31:43

Të mërkurën në mesditë sipas orës vendore, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç u takuan së bashku me gazetarët pas bisedimeve të tyre në Pallatin e Serbisë në Beograd.

Xi fillimisht shprehu përshëndetjet e tij të sinqerta për presidentin Vuçiç, qeverinë serbe dhe popullin vëlla serb në emër të qeverisë dhe popullit kinez.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

“Kam bërë një vizitë shtetërore në Serbi në vitin 2016 dhe jam pritur ngrohtësisht nga udhëheqësit e populli serb, gjë që nuk do ta harroj kurrë. Duke vizituar sërish pas 8 vitesh, jam shumë i lumtur kur shoh se, nën udhëheqjen e presidentit Vuçiç, ekonomia dhe shoqëria e Serbisë po lulëzojnë, fuqia gjithëpërfshirëse kombëtare dhe statusi ndërkombëtar i saj janë forcuar ndjeshëm dhe standardet e jetesës së njerëzve janë përmirësuar vazhdimisht,” theksoi Xi.  

Ai shtoi më tej se Kina dhe Serbia janë dy vende miq të vërtetë dhe partnerë të mirë, besimi i tyre i ndërsjellë politik është i fortë si gur, bashkëpunimi i tyre praktik është forcuar e përmirësuar, koordinimi shumëpalësh është i ngushtë e i mbarë dhe miqësia e tyre e hekurt do të zgjasë përgjithmonë.

“Mbrëmë, presidenti Vuçiç dhe zonja e tij, si edhe kryeministrja, ish-presidenti, kryeparlamentari, ministri i jashtëm dhe të tjerë shkuan në aeroport për të më pritur mua e bashkëshorten time dhe kishin organizuar një shfaqje unike serbe, e cila ishte prekëse. Këtë mëngjes, presidenti Vuçiç organizoi një ceremoni madhështore dhe të ngrohtë për publikun, e unë edhe një herë u preka nga ndjenjat e sinqerta të popullit serb për Kinën dhe popullin kinez. Pikërisht tani, presidenti Vuçiç dhe unë patëm një shkëmbim të thellë pikëpamjesh mbi marrëdhëniet Kinë-Serbi dhe çështjet e tjera me interes të përbashkët në një atmosferë të përzemërt e miqësore dhe arritëm shumë konsensuse të reja të rëndësishme,” u shpreh Xi.

Kreu i shtetit kinez bëri të ditur se, së bashku me homologun serb, ata shpallën krijimin e një bashkësie me fate të përbashkëta midis Kinës dhe Serbisë në epokën e re, duke hapur një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve Kinë-Serbi. “Tetë vjet më parë, Serbia u bë partnerja e parë e gjithashme strategjike e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sot Serbia është bërë vendi i parë evropian që bashkërisht ndërton një bashkësi me fate të përbashkëta me Kinën, gjë e cila pasqyron plotësisht natyrën strategjike, të veçantë dhe të nivelit të lartë të marrëdhënieve Kinë-Serbi,” tha Xi.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Më tej ai shtoi: “Ne ramë dakord unanimisht të udhëheqim rrugën për krijimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re, duke forcuar komunikimin strategjik. Të dyja palët duhet të mbështesin me vendosmëri interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të konsolidojnë themelet politike për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta. Kina mbështet Serbinë në respektimin e pavarësisë dhe ndjekjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare, dhe mbështet përpjekjet e Serbisë për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial për çështjen e Kosovës”.

Xi shtoi se bashkë me Vuçiçin dëshmoi nënshkrimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi, duke i dhënë shtysë të re bashkëpunimit me përfitim të përbashkët mes Kinës dhe Serbisë. Sipas tij, Kina dhe Serbia kanë arritur rezultate të frytshme në ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të "Një brez, një rrugë". Të dy palët do të vazhdojnë të nxisin bashkëpunimin pragmatik në një numër të gjerë fushash, me cilësi të lartë e përfitime të shumta, gjë që jo vetëm do të japë ndihmë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të të dy vendeve, por edhe do të bëhet një faktor i rëndësishëm në nxitjen e globalizimit ekonomik dhe do të jetë në dobi të praktikimit në një mënyrë të gjallë të zhvillimit gjithëpërfshirës.

“Ne ramë dakord unanimisht të çojmë përpara në mënyrë solide bashkëpunimin në fushat me epërsi tradicionale, si infrastruktura e transportit dhe e energjisë, dhe ta shndërrojmë bashkëpunimin inovativ në një pikë të re rritjeje për marrëdhëniet dypalëshe. Do të zgjerojmë shkëmbimet e personelit në fusha të ndryshme dhe do të thellojmë në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin në kulturë, arsim, sport, turizëm dhe nivel pushteti vendor. Do të forcojmë shkëmbimet ndërpartiake dhe shkëmbimin e përvojave në qeverisjen e shtetit. Gjithashtu, do të zbatojmë së bashku tre nismat kryesore globale dhe do të nxitim ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit. Ne duhet të ruajmë barazinë e drejtësinë dhe të kundërshtojmë bashkërisht hegjemonizmin dhe politikën e forcës,” u shpreh presidenti kinez.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Xi Jinping-u njoftoi edhe gjashtë masat e para konkrete të palës kineze për të mbështetur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re.

Së pari, me përpjekjet e përbashkëta të të dyja palëve, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë zyrtarisht në fuqi më 1 korrik të këtij viti;

Së dyti, Kina mbështet Serbinë në organizimin e Ekspozitës së Specializuar 2027, do të dërgojë delegacion për të marrë pjesë në këtë ekspozitë dhe do të inkurajojë ndërmarrjet kineze të marrin pjesë në ndërtimin e projekteve përkatëse;

Së treti, Kina është e gatshme të zgjerojë importet e produkteve bujqësore karakteristike serbe me cilësi të lartë. Të dy palët kanë përfunduar procedurat e eksportit të kumbullave dhe boronicave të thata në Kinë dhe kanë hequr ndalimin e gripit të shpendëve shumë patogjen.

Së katërti, pala kineze do të mbështesë 50 shkencëtarë të rinj serbë që të shkojnë në Kinë për të kryer shkëmbime kërkimore-shkencore në tre vitet e ardhshme;

Së pesti, Kina do të ftojë 300 të rinj serbë për të studiuar në Kinë në tre vitet e ardhshme;

Së gjashti, Kina mirëpret palën serbe për të hapur fluturime të drejtpërdrejta shtesë nga Beogradi në Shangai dhe inkurajon kompanitë e transportit ajror të dy vendeve që të hapin një fluturim të drejtpërdrejtë nga Beogradi në Guangzhou.

Xi Jinping-u vuri në dukje që, kur hedh vështrimin pas në histori, sheh se miqësia kino-serbe u kondensua në luftën e madhe për të mbrojtur bashkërisht paqen e zhvillimin botëror dhe u farkëtua me gjak dhe jetë. Përqendrimi në të ardhmen dhe ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta midis Kinës dhe Serbisë në epokën e re është një zgjedhje strategjike për të dyja palët. Qëllimi është të realizohen aspiratat e dy popujve për një jetë më të mirë me mbështetjen e fortë dhe pjesëmarrjen e gjerë të të dy popujve. Kina është e gatshme të bashkojë duart me Serbinë për të nisur një udhëtim të ri të ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re.

Vuçiçi tha nga ana e tij se vizita e presidentit Xi Jinping sërish pas tetë vjetësh është me rëndësi të madhe për Serbinë. Bashkëpunimi Serbi-Kinë ka arritur rezultate të frytshme dhe populli serb ka marrë përfitime të prekshme. “Bisedimet që sapo pata me Presidentin Xi Jinping ishin të thella e të gjera dhe unë përfitova shumë. Presidenti Xi Jinping dhe unë nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta ndërmjet Serbisë dhe Kinës në epokën e re. E falënderoj Presidentin Xi Jinping për shpalljen e një sërë masash pragmatike për të mbështetur bashkëpunimin Serbi-Kinë. Ne jemi krenarë që kemi një mike të madhe si Kina dhe për pozicionimin e ri të marrëdhënieve serbo-kineze, dhe jemi plot besim për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve,” tha ai.

Më tej Vuçiçi shtoi se Serbia do të vazhdojë të qëndrojë e vendosur me Kinën për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të Kinës. Miqësia e hekurt ndërmjet Serbisë dhe Kinës nuk do të pësojë ndërhyrje dhe nuk do të shkatërrohet nga asnjë forcë.

Cai Qi, Wang Yi dhe të tjerë e ndoqën këtë konferencë shtypi.