Xi Jinping: Një e ardhme më e mirë për marrëdhëniet Kinë-Serbi po shpaloset dalëngadalë
2024-05-08 19:56:14

Të mërkurën paradite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Pallatin Presidencial në Beograd.

Xi tha se është shumë i kënaqur që me ftesën e presidentit Vuçiç zhvillon këtë vizitë shtetërore në Serbi. “Kjo është edhe vizita ime e dytë në Serbinë e bukur pas 8 vjetësh. Faleminderit juve dhe qeverisë së Serbisë për mikpritjen tuaj dhe organizimin e kujdesshëm,” u shpreh Xi .

Më tej ai shtoi: "Siç thotë një proverb serb: ‘Malet nuk takohen, por njerëzit komunikojnë shpesh me njëri-tjetrin". Ndërsa kinezët thonë: ‘Ne e njohim njëri-tjetrin pa marrë parasysh sa larg jemi, por jemi ende fqinj edhe mijëra kilometra larg njëri-tjetrit’. Zoti President më ka ftuar shumë herë përzemërsisht të vizitoj Serbinë mike dhe unë erdha sot siç i premtova. Miqtë e mirë duhet të lëvizin më shumë dhe të komunikojnë më shumë.”

Më tej Xi e quajti Vuçiçin një burrë shteti të shquar me vizion strategjik dhe ndjenjë përgjegjësie historike, nën udhëheqjen e të cilit Serbia ka ruajtur qëndrueshmërinë politike, zhvillimin e shpejtë ekonomik, përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të jetesës së njerëzve dhe forcimin e ndjeshëm të fuqisë së përgjithshme kombëtare dhe statusit të vet ndërkombëtar. “Si miq të vërtetë dhe partnerë të mirë të Serbisë, ne jemi sinqerisht të lumtur. Përballë mjedisit kompleks të jashtëm dhe rreziqeve e sfidave, Serbia ka këmbëngulur te pavarësia, ka mbrojtur me vendosmëri sovranitetin e vet kombëtar, integritetin territorial e dinjitetin kombëtar dhe ka ruajtur me vendosmëri barazinë e drejtësinë ndërkombëtare, duke fituar respekt gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar,” shtoi presidenti kinez.

Më tej ai u shpreh që miqësia e hekurt ndërmjet Kinës dhe Serbisë u ka rezistuar provave të ndryshimeve të situatës ndërkombëtare dhe ka një trashëgimi të thellë historike, një themel të fortë politik, interesa të gjerë të përbashkët dhe një bazë solide të opinionit publik. Xi vuri në dukje se, në vitet e fundit, ai është takuar shumë herë me Vuçiçin për të komunikuar dhe shkëmbyer pikëpamje mbi çështjet strategjike e të përgjithshme që lidhen me marrëdhëniet Kinë-Serbi, duke i udhëhequr bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe në arritjen e një zhvillimi të shpejtë dhe të sukseseve historike. Veçanërisht që nga krijimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Serbisë në vitin 2016, përmbajtja e marrëdhënieve dypalëshe është bërë më e pasur dhe shtrirja e tyre ka vazhduar të zgjerohet, duke u bërë një model i marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kinës dhe vendeve evropiane. “Gjatë kësaj vizite, ne do të nënshkruajmë bashkërisht ‘Deklaratën e përbashkët për thellimin dhe përmirësimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe Serbisë dhe për ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët ndërmjet Kinës dhe Serbisë në epokën e re’, duke hapur një kapitull historik më të gjallë në marrëdhëniet Kinë- Serbi,” u shpreh Xi.

Më tej ai shtoi që, duke qëndruar në një pikënisje të re historike, një e ardhme më e ndritur për marrëdhëniet kino-serbe po shpaloset dalëngadalë. Kina është e gatshme të punojë me Serbinë për të vazhduar frymën e miqësisë së hekurt, për të mbështetur e zhvilluar miqësinë kino-serbe, për të mbrojtur së bashku interesat themelorë e afatgjatë të të dy vendeve, për të ndjekur zhvillimin kombëtar përkatës e përtëritjen kombëtare dhe për të promovuar bashkërisht ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët ndërmjet Kinës dhe Serbisë në epokën e re.