Kancelari gjerman (Foto ATSH)
Kancelari Olaf Scholz siguroi partnerët e NATO-s në rajonin e detit Baltik për mbështetjen te mbrojtja ushtarake gjermane, shkruan “ATSH”.
“Gjermania qëndron fort në anën e vendeve baltike. Angazhimi i Gjermanisë është serioz. Kjo do të thotë se ne i ofrojmë njëri-tjetrit mbrojtje dhe se të gjitha shtetet mund të mbështeten te ne për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të tyre”,-deklaroi Scholz në Pabrade, Lituani, ku ai vizitoi ushtarët e Bundeswehr-it.
Vizita e Scholz-it nënvizon rëndësinë strategjike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë në vazhdën e konfliktit ruso-ukrainas.
Tre vendet e NATO-s dhe BE-së janë ndër mbështetësit më të zjarrtë të Ukrainës dhe druhen se agresioni rus nuk do të ndalet në Ukrainë.
Ata të gjithë ndajnë një kufi me Rusinë dhe dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Duke reflektuar këtë realitet të ri në krahun lindor të NATO-s, Gjermania po përgatitet për vendosjen e një brigade të përhershme të Bundeswehr-it në Lituani me rreth 4800 ushtarë.
Synimi është që njësia të arrijë gatishmërinë e plotë luftarake deri në vitin 2027.
“Gjermania po investon masivisht në zgjerimin e aftësive të saj mbrojtëse. Kjo lidhet gjithashtu me vendimin që investimi për Bundeswehr-in do të përbëjë 2% të PBB-së së vendit”,- theksoi Scholz.
“Fakti që Gjermania po i siguron Ukrainës një sistem të tretë të mbrojtjes ajrore “Patriot” duhet të shërbejë si shembull për të tjerët”, tha kancelari gjerman. (Elona)