Rusia: Do të godasim objektivat ushtarake britanike, nëse forcat ukrainase godasin me raketa britanike
2024-05-08 17:15:58

Cameron Ukrainë (Foto Panorama)

Rusia paralajmëroi se do të godasë objektiva ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe gjetiu, nëse forcat ukrainase godasin Rusinë me raketat me rreze të gjatë të furnizuara nga Britania.

Dërgimi i këtyre raketave drejt Ukrainës u miratua nga sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, shkruan “Panorama”.

Gjatë një vizite në Kiev javën e kaluar, Cameron tha se forcat ukrainase do të mund të përdorin raketat britanike me rreze të gjatë për të goditur objektiva brenda territorit të Rusisë.

“Ndërsa Rusia po godet brenda Ukrainës, mund ta kuptoni përse Ukraina ndjen nevojën të sigurohet që po mbrohet”,- tha Cameron javën e kaluar, duke theksuar se Britania nuk ka vendosur parakushte për mënyrën se si do t’i përdorin forcat ukrainase armatimet e dhëna nga Britania.

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi nëpërmjet një deklarate se ka thirrur në takim ambasadorin britanik në Moskë, Nigel Casey, dhe e paralajmëroi atë se nëse forcat ukrainase përdorin armatime të furnizuara nga Britaniapër të goditur Rusinë, Moska zyrtare mund të kundërpërgjigjet ndaj çdo objekti ushtarak britanik dhe paisjeve në territorin ukrainas apo më gjerë.(Elona)