Fjalimi i presidentit Xi në banketin e mirëseardhjes
2024-05-07 04:40:50

Dolli nga Shkëlqesia e Tij, Xi Jinping,

President i Republikës Popullore të Kinës

Në banketin e mirëseardhjes

Organizuar nga Shkëlqesia e Tij, Emmanuel Macron, President i Republikës së Francës

6 maj 2024 

 

Shkëlqesia juaj, President Emannuel Macron dhe zonja Brigitte Macron!

Zonja dhe zotërinj!

Të dashur miq!

 

Foto: VCG

Foto: VCG

Kam shumë kënaqësi të vizitoj edhe njëherë Republikën e bukur të Francës. Në emër të bashkëshortes sime dhe delegacionit kinez, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim të përzemërt për ju, z.President, znj.Macron dhe palës franceze për mikpritjen tuaj të hirshme.

 

Franca është një vend magjepës. Është shtëpia e Montesquieu, Volterit, Jean-Jacques Rousseau, Victor Hugos dhe shumë mendimtarëve dhe kolosëve të tjerë letrarë, të cilët kanë pasur ndikim të gjerë në përparimin njerëzor. Nismëtarët e shumë ngjarjeve të famshme sportive ndërkombëtare, si Olimpiada Moderne, Kupa e Botës FIFA dhe Kampionatin Evropian, janë gjithashtu francezët. Lojërat Olimpike Verore të Parisit 2024 do të hapen pas dy muajsh. Besoj se do të jetë asgjë më pak se spektakolare.

 

Shpesh them se Kina dhe Franca janë miq të veçantë dhe marrëdhënia Kinë - Francë është e veçantë mes vendeve të mëdha në botë. Është e veçantë në atë që të dy vendet janë të përkushtuara ndaj frymës së pavarësisë. Vizita ime përkon me 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Francë.

 

Gjashtë dekada më parë, Gjenerali Charles de Gaulle mori vendimin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re në nivel ambasadori, gjë që nuk ishte dhe aq e lehtë në sfondin e Luftës së Ftohtë.

 

Gjashtë dekada më vonë, pavarësisht dinamikave të ndryshueshme në peizazhin ndërkombëtar, brezat e liderëve kinezë dhe francezë e kanë parë dhe i janë qasur kësaj marrëdhënieje nga një perspektivë strategjike dhe afatgjatë.

 

Presidenti francez ishte kreu i parë i shtetit perëndimor që vizitoi Kinën e Re. Franca ishte vendi i parë perëndimor që priti vizitë zyrtare nga një udhëheqës i Kinës së Re. Këto pika kryesore në ndërveprimet Kinë - Francë i atribuohen të gjitha angazhimit të vendeve tona ndaj frymës së pavarësisë, e cila duhet të çmohet dhe të çohet përpara.

 

Marrëdhënia Kinë-Francë është e veçantë në atë që ne e vlerësojmë njëri-tjetrin. Duke përfaqësuar qytetërimet lindore dhe perëndimore, Kina dhe Franca kanë një traditë të shkëlqyer të vlerësimit dhe tërheqjes reciproke. Pesë vite më parë, Presidenti Macron më dha një kopje të versionit francez të Konfucit, ose Shkencës së Princave, të botuar për herë të parë në 1688. Ai vuri në dukje se si mendimi i Konfucit ndikoi thellësisht te njerëzit si Volteri dhe frymëzoi iluminizmin francez. Unë do të thoja se Lëvizja Punë - Studim e studentëve kinezë në Francë, në fillim të shekullit të kaluar, ndihmoi në kultivimin e një kontigjenti talentesh për revolucionin, zhvillimin dhe reformën në Kinë më pas. Ky vit është caktuar si Viti i Kulturës dhe Turizmit Kinë-Francë. Jam i sigurt se të dy vendet mund ta përdorin atë si një mundësi për të nxjerrë urtësi dhe ushqim nga kultura e njëri-tjetrit.

 

Marrëdhënia Kinë - Francë është e veçantë në atë që ne të dy kemi një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Historia ka vërtetuar herë pas here se Kina dhe Franca mund të punojnë së bashku për përmirësimin e botës. Bota sot po përjeton ndryshime dhe trazira. Kriza e Ukrainës dhe konflikti palestinezo-izraelit vazhdojnë pandërprerje. Rimëkëmbjes ekonomike i mungon vrulli. Sfidat globale si ndryshimi i klimës, po bëhen më të vështira për t'u trajtuar. Duke qenë të dyja anëtarë të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina dhe Franca janë të detyruara të mbajnë përgjegjësi më të mëdha. Sot pasdite, Presidenti Macron dhe unë patëm një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh mbi marrëdhëniet e Kinës me Francën dhe Evropën, si edhe mbi zhvillimet ndërkombëtare. Ramë dakord që t'i qëndrojmë besnikë aspiratave origjinale të vendeve tona, gjatë krijimit të marrëdhënieve diplomatike gjashtë dekada më pare; të thellojmë besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë të nivelit të lartë dhe të forcojmë komunikimin dhe koordinimin për çështjet kryesore ndërkombëtare, për të injektuar së bashku shpresën në një botë konfuze dhe për të eksploruar rrugën përpara për përparimin njerëzor.

 

Siç vërejti me vend Montaigne, "Miqësia ushqehet nga komunikimi". Më shumë ndërveprime dhe më shumë shkëmbime, do të krijojnë më shumë konsensus. Jam i sigurt se me një traditë të shkëlqyer nga e kaluara, një themel të mirë të së tashmes dhe një plan për të ardhmen, marrëdhënia Kinë-Francë do të përqafojë një pranverë lulëzimi.

 

Tani mund të propozoj një dolli;

 

Për prosperitetin e Republikës Franceze dhe lumturinë e popullit të saj!

 

Për miqësinë e përjetshme midis vendeve dhe popujve tanë!

 

Për shëndetin e Presidentit, zonjës Macron dhe të gjithë miqve të pranishëm!

 

Gëzuar!