⁠⁠⁠⁠⁠⁠⁠Deklarata e Përbashkët e Republikës Popullore të Kinës dhe e Republikës Franceze mbi Inteligjencën Artificiale dhe Qeverisjen Globale
2024-05-07 15:22:12

⁠⁠⁠⁠⁠⁠⁠Deklarata e Përbashkët e Republikës Popullore të Kinës dhe e Republikës Franceze mbi Inteligjencën Artificiale dhe Qeverisjen Globale

Me ftesën e presidentit të Republikës Franceze Emannuel Macron, presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping po bën një vizitë shtetërore në Francë nga 5 deri më 7 maj. Me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, krerët e të dy vendeve përsëritën angazhimin e tyre për thellimin e konsensusit të arritur gjatë vizitës së presidentit të Republikës Franceze në Kinë nga 5 deri më 7 prill 2023 dhe për hapjen e kanaleve të reja të bashkëpunimit.

Të dy krerët e shtetit besojnë me vendosmëri në rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet të dy vendeve për dhënien e zgjidhjeve afatgjata për sfidat globale dhe kanë vendosur të forcojnë rolin e marrëdhënieve Kinë-Francë si një forcë nxitëse për qeverisjen ndërkombëtare në trajtimin e sfidave globale. Kina do të vazhdojë të marrë pjesë në një nivel të përshtatshëm në mbledhjet e komitetit vijues të Samitit të Ri Global të Financimit të qershorit 2023 dhe do të studiojë seriozisht Paktin e Parisit për Njerëzimin dhe Tokën (4P).

Për këtë qëllim, në bazë të konsensusit të arritur më 7 prill 2023 në Deklaratën e Përbashkët Kinë-Francë, të dy krerët e shtetit kanë arritur konsensusin e mëposhtëm, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale (IA).

1. Në bazë të njohjes së rolit kyç të IA-së në zhvillim e novacion dhe duke marrë parasysh një sërë sfidash të mundshme gjatë zhvillimit e përdorimit të IA-së, Kina dhe Franca bien dakord për rëndësinë e promovimit të zhvillimit dhe sigurisë së IA-së dhe të nxitjes së qeverisjes së duhur ndërkombëtare.

2. Kina dhe Franca, që janë plotësisht të ndërgjegjshme për ndikimin e thellë të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së IA-së dhe për rreziqet e mundshme e ekzistuese që lidhen me këtë teknologji, do të përpiqen të marrin masa efektive për t'i trajtuar këto rreziqe dhe për të forcuar qeverisjen globale të IA-së, që të nxitin zhvillimin dhe shfrytëzimin e IA-së për interesin e publikut.

3. Për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë e sjella nga IA-ja, Kina dhe Franca janë të angazhuara për të thelluar diskutimet mbi modelin e qeverisjes ndërkombëtare të IA-së. Një qeverisje e tillë duhet të marrë parasysh elasticitetin e kërkuar për zhvillimin e vazhdueshëm e të shpejtë të teknologjisë, duke ofruar njëkohësisht mbrojtjen e nevojshme për të dhënat personale, të drejtat e përdoruesve të IA-së dhe të drejtat e përdoruesve, veprat e të cilëve përdoren nga IA-ja.

4. Kina dhe Franca janë të angazhuara plotësisht për të promovuar sisteme të IA-së të sigurta e të besueshme, duke iu përmbajtur parimit "IA për të mirë" dhe duke shfrytëzuar potencialin e duke zbutur rreziqet e IA-së nëpërmjet dialogut të gjithanshëm e gjithëpërfshirës. Të dyja palët do të mbështeten gjithashtu te puna në nivel OKB-je për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar mbi qeverisjen e IA-së dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet kornizave e nismave të qeverisjes së IA-së, si për shembull në kuadër të Organit Këshillimor të Nivelit të Lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi IA-në ose në bazë të Rekomandimit të UNESCO-s mbi Etikën e Inteligjencës Artificiale.

5. Kina dhe Franca pohojnë se mundësitë, rreziqet dhe sfidat e IA-së kanë natyrë globale. Të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar sigurinë e qëndrueshmërinë ndërkombëtare dhe për të respektuar sovranitetin e të drejtat themelore, në sfondin e zhvillimit të vrullshëm teknologjik. 

6. Kina dhe Franca përshëndesin përpjekjet e bëra nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur zhvillimin dhe sigurinë e aplikimeve të IA-së, përfshirë Deklaratën e Bletchley-t të nënshkruar më 1 nëntor 2023. Kina është e gatshme të marrë pjesë në Samitin e IA-së që do të mbahet në Francë në vitin 2025 dhe në përgatitjet e tij. Kina e fton Francën të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale dhe në Konferencën e nivelit të lartë mbi Qeverisjen Globale të Inteligjencës Artificiale, që do të mbahet në vitin 2024. 

7. Këto përpjekje plotësojnë dhe forcojnë Kornizën për Sjelljen e Vendeve të Përgjegjshme në Përdorimin e Teknologjive të Informacionit dhe të Komunikacionit, e cila është hartuar në mënyrë  graduale e përmbledhëse dhe për të cilën është arritur konsensus në nivel të Kombeve të Bashkuara. Kina dhe Franca ranë dakord të ndihmojnë vendet, veçanërisht vendet në zhvillim, të forcojnë aftësitë e tyre kibernetike për t'u përballur me kërcënimet kibernetike, përfshirë ato që lidhen me zhvillimin e inteligjencës artificiale. 

8. Kina dhe Franca theksojnë se IA-ja duhet t'i shërbejë interesit publik dhe se zhvillimi e përdorimi i IA-së nga vendet e ndryshme duhet të përputhet me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Të dyja palët theksuan forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të kapërcyer hendekun digjital dhe për të përmirësuar aftësitë e IA-së në vendet në zhvillim. Të dyja palët e pranojnë se për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm, IA-ja duhet të zhvillohet aktivisht. Përdorimet duhet të përfshijnë zhvillimin e vazhdueshëm, mbrojtjen e klimës dhe biodiversitetit, prodhimin bujqësor, arsimin dhe shëndetin publik. 

9. Duke marrë parasysh se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë së IA-së e bën të vështirë respektimin dhe mbrojtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, Kina dhe Franca argumentojnë se AI-ja duhet të ofrojë qasje gjithëpërfshirëse për të gjithë, të ofrojë përmbajtje të vizitueshme, të shikueshme e të zbulueshme në internet, dhe të respektojë shumëgjuhësinë e diversitetin kulturor, duke përfshirë kornizat shumëpalëshe. 

10. Aplikimi i gjerë i inteligjencës artificiale do të sjellë në mënyrë të pashmangshme ndryshime të thella në punë. Përballë kësaj sfide, Kina dhe Franca po mendojnë në mënyrë kritike për ndikimin e IA-së për të ardhmen e punës, me qëllim që të shfrytëzojnë të gjithë potencialin e këtij përparimi teknologjik dhe të parandalojnë rreziqet e krijuara prej tij ndaj vendeve të punës dhe punonjësve.