Kina dhe Franca bëjnë deklaratën e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit mbi biodiversitetin e oqeanin
2024-05-07 12:19:33

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Gjatë bisedimeve të hënën mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Paris, të dy palët publikuan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit mbi biodiversitetin e oqeanet.

Në deklaratë thuhet se Kina dhe Franca ritheksojnë përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e ekosistemeve detare dhe bregdetare. Kina organizoi me sukses Konferencën e 15-të të Palëve Nënshkruese të Konventës për Biodiversitetin (COP15), ku u miratua Korniza Globale e Biodiversitetit Kunming-Montreal. Kjo kornizë përcaktoi objektivat për mbrojtjen efektive të të paktën 30 % të tokës, të zonave të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare deri në vitin 2030 dhe restaurimin e të paktën 30 % të ekosistemeve të degraduara tokësore, të ekosistemeve të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare.

Franca do të vazhdojë rrugën e përcaktuar në COP15 dhe do të organizojë së bashku me Kosta-Rikën Konferencën për Oqeanet të OKB-së në qershor të vitit 2025.

Kina e Franca planifikojnë të ndërmarrin veprime sipas konventave ndërkombëtare të miratuara, duke përfshirë “Konventën për ligjin detar të OKB-së”, “Konventën kornizë për ndryshimin e klimës të OKB-së”, “Marrëveshjen e Parisit”, “Konventën për biodiversitetin” etj.

Të dy vendet e njohin rëndësinë e “Marrëveshjes për mirëmbajtjen dhe përdorimin e vazhdueshëm të biodiversitetit detar jashtë zonave në juridiksionin e shteteve” (BBNJ) dhe e konsiderojnë atë si një nga shtyllat për sistemimin ndërkombëtar të oqeaneve.

1 Mirëmbajtja, mbrojtja dhe restaurimi i biodiversitetit detar e bregdetar për të promovuar multilateralizmin mjedisor

Kina dhe Franca ritheksojnë premtimet e bëra në Montreal në dhjetor të vitit 2022, domethënë mbrojtja efektive e të paktën 30 % të tokës, të zonave të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare deri në vitin 2030 dhe restaurimi i të paktën 30% të ekosistemeve të degraduara tokësore, të ekosistemeve të brendshme ujore, e të zonave detare e bregdetare.

Të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin mes agjencive kombëtare për mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e biodiversitetit detar e bregdetar.

2 Lufta kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar

Të dy vendet premtojnë të luftojnë kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar e të parregulluar, duke e promovuar këtë qëndrim në organizatat ndërkombëtare përkatëse.

Kina dhe Franca i përkrahin përpjekjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe FAO-s për këtë çështje.

3 Parandalimi dhe sistemimi i ndotjes

Të dy vendet premtojnë të parandalojnë e pakësojnë ndotjen, qoftë ndotjen kimike, plastike apo të llojeve të tjera. Të dy vendet do t’i kushtojnë rëndësi veçanërisht pakësimit të ndikimit negativ të ndotjes mbi biodiversitetin oqeanik e bregdetar.

Kina dhe Franca do të punojnë për zhdukjen e ndotjes plastike dhe premtojnë se do të promovojnë aktivisht pakësimin dhe ndalimin e prodhimit e të konsumit të plastikës.

4 Financimi për Objektivin 14 të Zhvillimit të Vazhdueshëm

Të dy vendet e pranojnë mungesën e fondeve për arritjen e Objektivit 14 të Zhvillimit të Vazhdueshëm dhe për mbrojtjen e biodiversitetit dhe ritheksojnë që do të forcojnë vullnetin e përbashkët për arritjen e gjithanshme të këtij objektivi para fundit të vitit 2025.

Sipas “Konventës për biodiversitetin”, të dy vendet do të promovojnë shtimin e fondeve për mbrojtjen e biodiversitetit.

5 Zhvillimi i njohurive shkencore oqeanike

Kina dhe Franca e përkrahin “Nismën e OKB-së për promovimin e dekadës së zhvillimit të vazhdueshëm të shkencës oqeanike” dhe besojnë se shkenca e teknologjia oqeanike kanë rëndësi të madhe për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit oqeanik e bregdetar. Të dy vendet do të forcojnë shkëmbimet njerëzore në bashkëpunimin shkencor.

6 Gjelbërimi i transportit detar

Transporti detar zë mbi 80 % të vëllimit të përgjithshëm të transportit global të mallrave, duke lëshuar 2.89 % të gazit serrë global. Prandaj të dy vendet shpresojnë të zhvillojnë bashkëpunim për ngritjen e efikasitetit energjetik të anijeve e porteve dhe për tranzicionin e energjisë.

7 Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë blu

 Të dy vendet e pranojnë që detet e bregdetet janë baza kryesore e ekonomisë globale. Parashikohet se deri në vitin 2030, vlera e ekonomisë blu do të arrijë në 3 trilionë dollarë. Të dy vendet theksojnë që do të zhvillojnë aktivitete ekonomike lidhur me zonat detare e bregdetare dhe respektimin e mjedisit. Në këtë fushë, të dy vendet planifikojnë të zhvillojnë bashkëpunim për turizmin bregdetar. (Fani)