Kina promovon bambunë si një zëvendësues ekologjik për plastikën
2024-05-07 15:40:04

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina po udhëheq rrugën në promovimin e bambusë si një zëvendësues i qëndrueshëm i plastikës, njofton “CGTN”.

Në vitin 2023, qeveria kineze publikoi bashkërisht “Planin Global të Veprimit për Bambu si Zëvendësues i Plastikës (2023-2030)” me Organizatën Ndërkombëtare të Bambusë. Ky plan ambicioz përshkruan gjashtë qëllime kryesore dhe 23 veprime specifike për të inkurajuar kalimin global nga plastika në bambu.

Kina krenohet me burime të bollshme bambuje, me 837 lloje bambuje. Pyjet me bambu mbulojnë një sipërfaqe prej 7.56 milionë hektarësh dhe prodhojnë mbi 150 milionë tonë bambu çdo vit.

Që nga fillimi i këtij viti, mbi 20 baza industriale të dedikuara për alternativat me bazë bambuje ndaj plastikës janë në ndërtim ose janë planifikuar në 17 provincat kryesore të Kinës që prodhojnë bambu. Kjo rritje e aktivitetit pasqyron potencialin e madh të bambusë. Aktualisht, ka mbi 10.000 lloje të produkteve të bambusë, të përdorura në fusha të ndryshme, duke filluar nga artikujt e përdorimit të përditshëm deri te prodhimi industrial, materialet e ndërtimit dhe madje edhe prodhimi bujqësor.

Industria e bambusë në Kinë punëson mbi 29 milionë njerëz, nga të cilët më shumë se 19 milionë janë fermerë, që përbëjnë mbi 65 për qind të fuqisë punëtore totale.

Përveç kësaj, industria e bambusë ka mbi 10.000 ndërmarrje të përpunimit të bambusë. Vlera e prodhimit të saj është rritur nga 82 miliardë juanë (11 miliardë dollarë) në vitin 2010 në mbi 410 miliardë juanë (57 miliardë dollarë) sot, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej mbi 30 për qind. (Fatosi)