Ngrohja globale rrezikon shkëmbinjtë më të mëdhenj koralorë në botë
2024-05-07 15:47:50

Barriera koralore (Foto Rtsh)

Barriera e Madhe, sistemi më i madh i shkëmbinjve koralorë në botë, sapo përjetoi verën më të keqe rekord dhe Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) me bazë në SHBA njoftoi muajin e kaluar se bota po kalon një ngjarje të rrallë globale të zbardhjes së koraleve, duke ndikuar në të paktën 53 shtete, shkruan “RTSH”.

Koralet janë viktima të temperaturave në rritje globale të cilat kanë thyer rekorde historike në vitin e kaluar, të shkaktuara kryesisht nga lëndët djegëse fosile, që nxisin emetimet e karbonit, dhe të përshpejtuara nga modeli i motit “El Nino”, i cili ngroh temperaturat e oqeanit në këtë pjesë të botës.

“Ajo që po ndodh tani në oqeanet tona është si zjarret nënujore. Ne do të kemi kaq shumë ngrohje sa do të arrijmë në një pikë kthese dhe nuk do të jemi në gjendje të kthehemi mbrapsht nga kjo”,- tha Kate Quigley, shkencëtare kryesore kërkimore në Fondacionin Minderoo të Australisë.

Zbardhja ndodh kur valët e të nxehtit detar i vënë koralet nën stres, duke i bërë ato të dëbojnë algat nga indet e tyre. Koralet mund të shërohen nga zbardhja nëse temperaturat kthehen në normale, por ato do të zhduken nëse uji qëndron më i ngrohtë se zakonisht.

Shkatërrimi i ekosistemeve detare do të jepte një dënim efektiv me vdekje për rreth një të katërtën e të gjitha specieve që varen nga shkëmbinjtë nënujorë për të mbijetuar dhe kërcënon rreth një miliardë njerëz që mbështeten te peshqit e shkëmbinjve për ushqimin dhe jetesën e tyre. Shkëmbinj nënujorë gjithashtu ofrojnë mbrojtje jetike për vijat bregdetare, duke reduktuar ndikimin e përmbytjeve, cikloneve dhe rritjes së nivelit të detit. (Irma)