Kinë-Francë, deklaratë e përbashkët mbi shkëmbimet dhe bashkëpunimin bujqësor
2024-05-07 14:46:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

1.      Me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Francës, të dy krerët e shtetit ritheksojnë rolin e rëndësishëm të bujqësisë për të dy vendet dhe marrëdhëniet dypalëshe.

2.      Me pasion të përbashkët për ushqimin e kuzhinën dhe perspektivën e përbashkët të "fuqizimit të vendit duke u bazuar në fuqizimin e bujqësisë", Kina dhe Franca mbështesin bashkëpunimin dypalësh bujqësor. Të dy vendet kanë zhvilluar bashkëpunim në arsimin e lartë, arsimin profesional, kërkim e inovacion, rritjen e gjedhit për mish dhe sigurinë ushqimore. Të dy palët bien dakord të shtojnë bashkëpunimin shkencor në fusha të tilla si kultivimi i drithërave, frutave e perimeve, blegtoria e shpendaria, pajisjet moderne bujqësore, bujqësia inteligjente, përballimi i ndryshimeve klimatike, biodiversiteti, shëndeti i dheut dhe ulja e humbjeve ushqimore.

3.      Të dy palët bien dakord të eksplorojnë potencialin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, posaçërisht në talentet e reja në bujqësi dhe modelet komerciale të bujqësisë. Franca e mbështet Kinën për organizimin e forumit të fshatrave të bukura Kinë-Europë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

4.    Të dy palët mirëpresin shtimin e bashkëpunimit nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes administrative të bashkëpunimit në rritjen e rrushit dhe prodhimin e verës, si edhe zgjatjes së marrëveshjes së treguesve gjeografikë. Thellimi i bashkëpunimi Kinë-Francë në këtë drejtim pasqyrohet edhe nga mbështetja e Francës për hyrjen e Kinës në Organizatën Ndërkombëtare të Verës (OIV) në vitin 2024. Franca i vlerëson përpjekjet e Kinës në zhvillimin dhe përmirësimin e sektorit të rrushit dhe verës, si edhe për hyrjen në Organizatën Ndërkombëtare të Verës në vitin 2024, kur është edhe 100-vjetori i kësaj organizate. Franca është e gatshme t'i kushtojë vëmendje të vazhdueshme zhvillimit të këtij sektori në Kinë, duke përmirësuar bashkërisht nivelin e zhvillimit të sektorit të rrushit dhe verës. Ndërkohë, dy palët ranë dakord që emrat e zonave gjeografike Maconnais dhe Gevrey-Chambertin të marrin njohje ligjore në Kinë në maj 2024. Të dy palët do të zhvillojnë bashkëpunim dhe do të përpiqen të mbarojnë regjistrimin e treguesve gjeografikë të verërave të tjera të rajonit Burgundy në Kinë.

5.      Kina dhe Franca janë të gatshme të vazhdojnë të shtojnë bashkëpunimin në bujqësi e ushqim. Pala franceze shpreh vlerësimin për mekanizmin e koordinimit të shpejtë "Nga fermat franceze në tryezat kineze", që u propozua nga Kina në prill 2023, dhe përshëndet marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal mbi gripin  e shpendëve për garantimin e sigurisë në tregjet ushqimore dhe sigurisë së produkteve të shpendarisë, zgjerimin e listës së produkteve të mishit të derrit që eksportohen në Kinë edhe me organet e brendshme të derrit, si edhe nënshkrimin e protokollit mbi ushqimin proteinik për rritjen e derrave.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

6.      Të dy palët janë të gatshme të vazhdojnë të eksplorojnë aktivisht heqjen e plotë të embargos ndaj produkteve të mishit të gjedhit pa encefalopati në formë sfungjeri në bazën e garantimit të sigurisë. Të dy palët do të vazhdojnë dialogun mbi hyrjen në treg të jonxhës së dehidratuar. Bashkëpunimi dypalësh do të zgjerohet edhe në sektorin veterinar dhe mbikëqyrjen sanitare të ushqimeve të importuara.

7.      Të dy palët janë të gatshme të vazhdojnë të eksplorojnë modele të reja për pasurimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fushën e bujqësisë e agroushqimit dhe do të vazhdojnë të inkurajojnë sipërmarrjet dhe shoqatat përkatëse të marrin pjesë në bashkëpunim si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, e veçanërisht si përfitues të drejtpërdrejtë prej bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve, për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në zhvillimin bujqësor dhe rural të njëra-tjetrës.