Izraeli informoi SHBA-në për evakuimin e civilëve palestinezë nga Rafah
2024-05-06 17:44:59

Gaza (Foto Euronewsalbania)

Gaza (Foto Euronewsalbania)

Izraeli informoi këtë javë zyrtarët e administratës Biden lidhur me një plan për të evakuuar civilët palestinezë përpara një operacioni të mundshëm në qytetin jugor të Gazës, Rafah, që synon çrrënjosjen e militantëve të Hamasit.

Kjo u bë e ditur nga zyrtarë amerikanë të njohur me këto bisedime, njofton “RTSH”.

Zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht dhe kërkuan anonimitetin për të folur për shkëmbimin e ndjeshëm të informacionit, thanë se plani i detajuar nga izraelitët nuk e ndryshonte pikëpamjen e administratës amerikane se vazhdimi i një operacioni në Rafah do të vinte shumë civilë palestinezë të pafajshëm në rrezik.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të kryejë një operacion ushtarak në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve nga presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë se një veprim i tillë do të rezultonte në më shumë vdekje civile dhe do të përkeqësonte një krizë tashmë të tmerrshme humanitare.

Administrata Biden ka njoftuar se mund të ketë pasoja për Izraelin nëse ai ecën përpara me operacionin pa një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët.

Rreth 1.5 milionë palestinezë janë strehuar në qytetin jugor të Gazës, ndërsa territori është shkatërruar nga lufta që filloi më 7 tetor pasi militantët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. (Fatosi)