OKB: Operacioni ushtarak i Izraelit në Rafah mund të jetë goditje fatale për gjithë Gazën
2024-05-05 15:56:14

OKB per Gazen (Foto Rtsh)

OKB per Gazen (Foto Rtsh)

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se një operacion ushtarak izrazelit në Rafah do të ishte një goditje e madhe për operacionet humanitare për të gjithë Gazën dhe do të vinte në rrezik jetën e qindra mijëra palestinezëve, shkruan “RTSH”.

Izraeli ka paralajmëruar për një operacion për të çrrënjosur batalionet e mbetura të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku rreth një milion njerëz të zhvendosur janë grumbulluar së bashku në strehimore dhe akomodime të improvizuara në mes të luftës në vazhdim.

“Mund të jetë një masakër e civilëve dhe një goditje e pabesueshme për operacionin humanitar në të gjithë brezin, sepse ai është drejtuar kryesisht nga Rafah”,- tha Jens Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së, në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Operacionet e ndihmës të drejtuara nga Rafah përfshijnë klinika mjekësore dhe pika të shpërndarjes së ushqimit, duke përfshirë qendra për fëmijët e kequshqyer.

Në të njëjtën konferencë, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se ishte përgatitur një plan emergjence për një inkursion, i cili përfshinte një spital të ri fushor, por që nuk do të mjaftonte për të parandaluar një rritje të konsiderueshme të numrit të të vdekurve.

“Absolutisht nuk do të parandalojë vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë shtesë të konsiderueshme të pritshme të shkaktuar nga një operacion ushtarak”, tha Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së për Gazën.

Ai shtoi se është jashtëzakonisht i shqetësuar se çdo inkursion do të mbyllte kalimin Rafah midis Gazës dhe Egjiptit, i cili aktualisht po përdoret për të importuar furnizime mjekësore. (Irma)