Opozita izraelite, përpjekje me Emiratet për arritjen e marrëveshjes për lirimin e pengjeve
2024-05-03 10:40:59

Foto nga VCG

Udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, u takua me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheik Abdullah bin Zayed, gjatë një vizite diplomatike në Abu Dhabi.

Gjatë takimit u diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtura në Gaza, si dhe çështjen se si do të duket Gaza pasi të përfundojë lufta, shkruan “RTSH”.

Lapid theksoi nevojën urgjente për të siguruar lirimin e pengjeve, bëri të ditur zyra e tij, dhe i tha zyrtarit të Emirateve se çdo vend në rajon mund të ndikojë në marrëveshje, transmetojnë mediat izraelite.

“Izraeli ka interes të krijojë, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e moderuara arabe, bashkëpunim politik dhe ekonomik që mund të ofrojë zgjidhje për problemet globale dhe të përballet me kërcënimet rajonale të të gjitha llojeve”,- theksoi Lapid. (Elona)