Foto nga VCG
Tregtia e Kinës me anëtarët e tjerë të BRICS-it arriti në 1.49 trilionë juanë (rreth 209.7 miliardë dollarë amerikanë) në tremujorin e parë, me një rritje vjetore prej 11.3 për qind, bëri të ditur Administrata e Përgjithshme e Doganave (GAC), citon “Xinhua”.
Sipas të dhënave doganore, vlera tregtare përbënte 14.7 për qind të vlerës totale të tregtisë së jashtme të vendit gjatë së njëjtës periudhë.
Eksportet e Kinës në Brazil dhe importet prej saj u rritën përkatësisht me 25.7 për qind dhe 30.1 për qind në baza vjetore.
Tregtia midis Kinës dhe Rusisë vazhdoi të zgjerohej gjatë kësaj periudhe, e karakterizuar nga rritja e produkteve të tregtuara si energjia, automobilat, si dhe makineritë dhe pajisjet e përgjithshme.
Tregtia midis Kinës dhe Indisë u rrit me 8.5 për qind në tremujorin e parë, duke shënuar rritje për pesë tremujorë radhazi.
Si partneri më i madh tregtar i Kinës në Afrikë për 14 vjet rresht, Afrika e Jugut pati një rritje të fuqishme në tregtinë e saj me Kinën. Gjatë tremujorit të parë, eksportet e Kinës në Afrikën e Jugut arritën në 35.11 miliardë juanë, ndërsa importet e saj nga kombi afrikan ishin 66.46 miliardë juanë, sipas GAC-it.
Të dhënat e doganave treguan se Kina ka mbajtur bashkëpunim të mirë me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në fushën e tregtisë së energjisë. Të dy vendet ishin ndër 10 burimet kryesore të produkteve energjetike të importuara në Kinë në tremujorin e parë.
Kina ka zhvilluar bashkëpunim praktik edhe me Egjiptin dhe Etiopinë në fushën e infrastrukturës, ndërkohë që në tremujorin e parë, eksporti i Kinës i projekteve të kontraktuara në dy vendet e mësipërme ka shënuar rritje të shpejtë.
Mallrat e prodhuara nga Kina ishin të njohura në Iran, me mallrat e eksportuara të Kinës të blera nga tregu iranian që u rritën me 15.2 për qind në baza vjetore në tremujorin e parë, sipas të dhënave.
Lyu Daliang, drejtor i Departamentit të Statistikave dhe Analizave të GAC-it, tha se vlera e tregtisë së mallrave midis vendeve të BRICS-it përbën rreth 20 për qind të totalit botëror. Sipas tij, synohet rritja e tregtisë mes vendeve të BRICS-it dhe blloku pritet të bëhet një përshpejtues për rimëkëmbjen ekonomike globale dhe zhvillimin e tregtisë.
BRICS është akronimi për një mekanizëm bashkëpunues në tregje në zhvillim që fillimisht paraqiti Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut. Më 1 janar 2024, BRICS-it iu bashkuan edhe Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani dhe Etiopia. (Irma)