Rritet frika e konsumatorëve britanikë se kontrollet kufitare do të shkaktojnë rritje të çmimeve
2024-05-01 12:37:02

Britani (FOTO ATSH)

Britani (FOTO ATSH)

Kontrollet e reja kufitare pas “Brexit” kanë hyrë në fuqi mes frikës se do të shkaktojnë përçarje dhe rritje të çmimeve të ushqimeve, shkruan “ATSH”.

Britania e Madhe doli nga Bashkimi Europian, pas së cilës hyri në fuqi një periudhë tranzicioni deri në dhjetor 2020.

Megjithatë, kontrollet e reja kufitare hynë në fuqi nga 30 prilli dhe prekin disa produkte shtazore dhe bimore nga BE-ja, në një hap që me shumë gjasa mund të shkaktojë probleme.

Furnizuesit britanikë të ushqimit kanë paralajmëruar se kontrollet, të njohura si Modeli Operativ i Synimeve Kufitare (BTOM), do të rrisin çmimet e ushqimeve dhe do të imponojnë kërkesa të papërshtatshme për bizneset.

Sipas skemës së re, produktet shtazore dhe bimore nga BE-ja që konsiderohen të jenë me rrezik mesatar ose më të lartë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike, dokumentare dhe të identitetit në Portin e Doverit.

Importuesit gjithashtu do të duhet të paguajnë deri në 145 paundë për të sjellë produkte të tilla në vend, me tarifën e vendosur për të mbuluar kostot e funksionimit të postave të kontrollit kufitar. (Elona)