Mbytet gomonia me emigrantë pranë ishullit grek
2024-05-01 12:05:10

Anije greke (Foto Panorama)

Anije greke (Foto Panorama)

Një burrë u gjet i vdekur dhe 25 persona të tjerë u shpëtuan nga një gomone gjysmë e zhytur që transportonte emigrantë në zonën detare të Agios Isidoros në veriperëndim të Samosit, në Greqi, shkruan “Panorama”.

Roja Bregdetare ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer një operacion shpëtimi, duke nxjerrë trupin e pajetë të një burri dhe duke shpëtuar 25 emigrantët e bllokuar. Personat e shpëtuar u dërguan në portin e Vathios dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas deklaratës së ekipeve të shpëtimit, në varkën e shpëtimit ndodheshin dhjetë persona të tjerë, të cilët mund të kenë dalë në breg.

Trupi i pajetë është marrë nga një ambulancë dhe është dërguar në spitalin lokal.

Vijojnë kërkimet për gjetjen e katër personave të zhdukur. (Elona)