DASH-i akuzon 5 njësi izraelite për shkelje të të drejtave të njeriut
2024-05-01 12:10:57

DASH (Foto RTSH)

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë në përfundimin se pesë njësi të ushtrisë izraelite janë përgjegjëse për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut në incidente të ndryshme, por gjithsesi ato do të vijojnë të marrin mbështetjen ushtarake amerikane, shkruan “RTSH”.

Të gjitha incidentet për të cilat këto njësi akuzohen kanë ndodhur jashtë Rripit të Gazës para luftës që po vijon mes grupit militant Hamas dhe Izraelit. DASH-i bëri të ditur se Izraeli ndërkohë kishte ndërmarrë veprime korrigjuese ndaj katër njësive, ndërsa kishte dhënë informacione shtesë për të pestën, çka do të thotë se ato do të vijojnë të marrin ndihmë ushtarake nga SHBA-ja.

“Katër nga këto njësi kanë korrigjuar shkeljet. Për njësinë e mbetur, vijojmë të jemi në konsultime me qeverinë e izraelit”,- u shpreh zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel. 

Më herët u raportua se SHBA-ja do të njoftonte ndërprerjen e ndihmave ushtarake për njësinë e pestë, por u vendos që një vendim i tillë të merrej më vonë.

Bëhet fjalë për batalionin Netzah Yehuda, njësi e ngritur në vitin 1999 që përbëhet nga hebrenj ultraortodoksë. Izraeli ndërkohë ndërmori hetimet ndaj këtij batalioni në lidhje me vdekjen e një 80-vjeçari me nënshtetësi amerikane dhe palestineze, i cili humbi jetën pasi dyshohet se ndaj tij u ushtrua dhunë në Bregun Perëndimor në vitin 2022. Në atë kohë, SHBA-ja bëri thirrje për një hetim gjithëpërfshirës penal dhe nxjerrjen e autorëve para përgjegjësisë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit shprehën keqardhje për vdekjen e 80-vjeçarit dhe bënë të ditur se kishin marrë masa ndaj ushtarakëve të përfshirë, por ata ndërkohë nuk u ndoqën penalisht.(Elona)