SHBA, bisedime më Egjiptin dhe Katarin për armëpushimin në Gaza
2024-05-01 12:36:18

Presidenti amerikan (Foto Atsh)

Presidenti amerikan (Foto Atsh)

Presidenti amerikan, Joe Biden, zhvilloi bisedime telefonike me liderët e Egjiptit dhe Katarit, duke kërkuar nga këto dy vende që të përdorin ndikimin e tyre mbi Hamasin për të arritur një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, shkruan “ATSH”.

Në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Biden zhvilloi biseda të veçanta telefonike me presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi, dhe emirin e Katarit, sheikun Tamim bin Hamad Al Thani.

Biden trajtoi në mënyrë gjithëpërfshirëse procesin në lidhje me negociatat e armëpushimit aktualisht në tryezë, ku marrin pjesë Egjipti dhe Katari, duke falënderuar Sisin dhe Al Thani për përpjekjet e tyre në këtë çështje.

“Nëse Hamasi pranon propozimin e armëpushimit, do të ketë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Ndihma intensive humanitare do të arrijë në rajon dhe në këmbim Hamasi do të lirojë pengjet”,- tha Biden.

Propozimi i ri, i përgatitur me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimin e ndërsjellë të pengjeve, iu paraqit Hamasit më 26 prill.(Elona)