Ndryshimi bashkë me tranzicionin, kur koncepti i gjelbër takohet me automjetet
2024-05-01 11:54:33

Kohët e fundit, Joe Twomey, që banon në Dublin të Irlandës bleu një automjet elektrik. Pavarësisht nga kostoja relativisht e lartë e blerjes në krahasim me automjetet me karburant, ai e bëri këtë zgjedhje për shkak të subvencionit qeveritar dhe kostos relativisht të ulët të përdorimit afatgjatë.

Joe Twomey, banor i Dublinit

Mund ta ngarkoj në shtëpi. "ATTO 3" e BYD-së ose ndonjë automjet tjetër elektrik zakonisht ka kosto më të ulët se automjetet me naftë ose benzinë.

Sot, konceptet e së gjelbrës dhe lëshimit të ulët të karbonit janë bërë një rrymë globale. Gjithnjë e më shumë konsumatorë janë të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe po e ndryshojnë prirjen e tyre të blerjes, duke kaluar te automjetet me energji të reja. Ndërkohë, vendet e ndryshme kanë paraqitur objektivat e asnjanësimit të karbonit. Në industrinë e automjeteve, BE-ja vendosi që qysh prej vitit 2035 të ndalohet shitja e automjeteve të reja me karburant, për të nxitur tranzicionin e gjelbër të kësaj industrie në Evropë. Si përfaqësuese të përdorimit të energjive të pastra, automjetet me energji të reja mund të luajnë rol në procesin e pakësimit të shkarkimit në Evropë dhe t'u ofrojnë konsumatorëve evropianë më shumë alternativa.

Konsumator holandez:

Mendoj se hyrja e automjeteve kineze në Holandë është një gjë e mirë për mjedisin dhe për tregun e automjeteve.

Konsumator finlandez:

Besoj se kjo është një dukuri pozitive, sepse automjetet kineze kanë çmim të arsyeshëm dhe cilësi të mirë.

Në kundërshtim me prirjen e kohës, ShBA-ja dhe BE-ja trumbetojnë kohët e fundit "mbikapacitetin prodhues" të industrisë së energjive të reja të Kinës, si pretekst për proteksionizmin e tyre tregtar. BE-ja po mendon të shtojë tarifat doganore për automjetet elektrike kineze.

Enriko Ceko,drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Vazhdueshëm të Shqipërisë:

Tashmë është e qartë për çdo qytetar të Evropës dhe për çdo ligjvënës në Bashkimin Evropian se hetimet në lidhje me subvencionet qeveritare në Kinë për makinat elektrike nuk kanë asgjë të përbashkët me zhvillimin e tregut të makinave elektrike në Evropë dhe më gjerë, dhe bien ndesh edhe me politikat evropiane për nxitjen e zhvillimit të energjisë së gjelbër, me politikat dhe angazhimet e Bashkimit Evropian në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe në inciativat ekonomike dhe tregtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Michael Bose, drejtor për Ndërkombëtarizimin në Shoqatën e Furnizimit të Automjeteve të provincës BerlinBrandenburg të Gjermanisë:

Edhe sikur të realizohet "furnizimi vendës", një industri ose degë e globalizuar, ashtu si industria e automjeteve, nuk mund të shkëputet krejtësisht nga furnizimi dhe furnizuesit ndërkombëtarë brenda një nate.

Peter Szijjarto, ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme i Hungarisë:

"Mbikapaciteti" nuk ekziston. Kjo është një industri e re dhe është në zhvillim e sipër. Tregu ka kërkesa të mëdha për automjetet elektrike të tipit të ri. Deri në vitin 2030, mbi 45 milionë automjete elektrike do të ecin në rrugë në mbarë globin, kurse tani kemi vetëm 10 milionë.

Në fakt, sipas teorisë ekonomike, proteksionizmi tregtar nuk mund të luajë një rol mbrojtës, por përkundrazi do të dëmtojë interesat e vetë BE-së. Vetëm konkurrenca e barabartë do të realizojë përparimin teknologjik dhe vetëm bashkëpunimi e ndarja e roleve do të sjellin leverdi të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta, duke nxitur përshkallëzimin e industrisë së automjeteve drejt karbonit të ulët.

Oliver Blume, kryeekzekutivi i Grupit "Volkswagen":

Prania e një rivali të fuqishëm në treg është një gjë shumë pozitive, sepse nxit zhvillimin e sektorit dhe sjell investime e risi.

Michael Bose, drejtor për Ndërkombëtarizimin në Shoqatën e Furnizimit të Automjeteve të provincës BerlinBrandenburg të Gjermanisë:

Në fushën e teknologjisë së baterive, CATL, si kompania udhëheqëse e tregut kinez apo ndërkombëtar të baterive, prodhon bateri në Gjermani për prodhuesit gjermanë të pajisjeve origjinale dhe është bërë një nga partnerët e zhvillimit në këto fusha. Kjo i favorizon të dyja palët.

Vicentiu Gheorghe,presidenti i nderit i Shoqatës “ChinaRo”

Vitet e fundit, shumë kompani evropiane të automjeteve, përfshirë BMW dhe "Volkswagen", i kanë zgjeruar shërbimet e automjeteve elektrike në Kinë, ndërkohë që edhe kompanitë kineze kanë krijuar uzina në Gjermani, Hungari dhe vende të tjera evropiane. Nëse do të vazhdojë ky bashkëpunim me konkurrencë pozitive, kjo do të jetë në ndihmë të ngritjes së forcës konkurruese tërësore të industrisë evropiane të automjeteve dhe të realizimit të objektivit të pakësimit të shkarkimit të karbonit në BE.

Enriko Ceko,drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Vazhdueshëm të Shqipërisë:

Në epokën e transformimit të tregut global të makinave, kompanitë e këtij sektori, përfshirë këtu edhe kompanitë evropiane po kërkojnë vende ku të instalohen për transformimin e tyre në kompani konkurruese dhe Kina është vendi më i përshtatshëm për këtë.