Kina publikon listën e makinave inteligjente në përputhje me kërkesat e sigurisë së të dhënave
2024-04-30 11:21:06

Foto nga VCG

Një shoqatë industriale kineze ka publikuar një listë me 76 modele të automjeteve të lidhura inteligjente që plotësojnë kërkesat e vendit për sigurinë e të dhënave auto, përfshirë ato nga “BYD” dhe “Tesla”, shkruan “Xinhua”.

Lista u publikua pas testeve të sigurisë të kryera së bashku nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automobilave dhe Ekipi Teknik i Reagimit Emergjent të Rrjetit Kompjuterik/Qendra e Koordinimit të Kinës.

Modele nga “Li Auto”, “Lotus”, “Hozon New Energy Automobile” dhe “NIO” ishin gjithashtu në listë.

Në testet që filluan në nëntor 2023, makinat u vlerësuan për të parë nëse plotësonin katër kërkesa të pajtueshmërisë: anonimizimin e informacionit të fytyrës dhe informacioneve të tjera nga jashtë makinës, mosmbledhjen e paracaktuar të të dhënave në makinë, përpunimin e të dhënave në makinë dhe njoftimin e dukshëm të përpunimit të informacionit personal.

Sipas shoqatës, testet u kryen sipas ligjeve dhe standardeve përkatëse dhe prodhuesit e makinave dorëzonin modelet e tyre në baza vullnetare.

Shoqata bëri të ditur se testi synon të ndihmojë në rregullimin e përpunimit të të dhënave të automjeteve, mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve të makinave dhe ndërtimin e një mjedisi të shëndoshë për sigurinë e të dhënave të automjeteve dhe industrinë. (Fatosi)