Turqia mbështet kandidaturën holandeze për kreun e ri të NATO-s
2024-04-30 17:20:28

Rutte-Erdogan (Foto Panorama)

Rutte-Erdogan (Foto Panorama)

Turqia njoftoi se do të mbështesë kandidaturën e kryeministrit aktual të Holandës, Mark Rutte, për të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, shkruan “Panorama”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oncu Keceli, tha se Turqia ka njoftuar diplomatët e aleancës në Bruksel për këtë zhvillim.

Vendimi u bë publik pas vizitës së Rutte në Turqi, ku kërkoi mbështetje për kandidaturën e tij nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, është afër përfundimit të mandatit të tij. Ai ka qenë në krye të NATO-s që nga viti 2014.

Shtetet anëtare të NATO-s, Turqia dhe Hungaria, më herët kishin shprehur rezerva për kandidaturën e Ruttes dhe Erdogan gjatë konferencës të përbashkët për media me të të premten nuk bëri asnjë zotim.

Zyrtarët e NATO-s duan që të zgjedhin pasardhësin e Stoltenbergut para se të nisin zgjedhjet evropiane nga 6 deri më 9 qershor.

Ata duan të shmangin përçarje për kreun e ri të NATO-s para samitit që do të mbahet në qershor në Uashington për 75-vjetorin e themelimit të aleancës. (Irma)