Zyrtari i Hamasit: Nuk ka marrëveshje me Izraelin nëse lufta në Gazë vazhdon
2024-04-29 20:25:57

Një burrë ecën mes tendave në një kamp në Rafah në Rripin jugor të Gazës, pranë kufirit me Egjiptin, 28 prill 2024

Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit, tha në një deklaratë se lëvizja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfshin ndërprerje të luftës në Gazë.

Ebu Zuhri shtoi se përgjigja e Izraelit, e cila arriti lëvizjen përmes ndërmjetësuesve, është në studim. Është shumë herët për të marrë një vendim për këtë. 

Një delegacion i Hamasit ka planifikuar të vizitojë Kajron të hënën, për të dhënë përgjigjen e lëvizjes në lidhje me një armëpushim në Gazë, si edhe për të negociuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit me Izraelin, sipas një burimi nga lëvizja.

Më herët gjatë ditës, siç raportohet nga Radio Publike e Izraelit, një zyrtar i lartë izraelit e përshkroi zhvillimin aktual si "momente vendimtare në përpjekjet për të arritur një marrëveshje të re pengjesh me Hamasin".

Zyrtari shtoi, "Ne jemi në pritje të përgjigjes së liderit të Hamasit, Jahya Sinwar", dhe presim të bëhet "brenda 48 orëve të ardhshme." Ai vuri në dukje se Izraeli ka shprehur gatishmërinë për të bërë "lëshime shumë të rëndësishme" në lidhje me kthimin e personave të zhvendosur në Gazën veriore.

Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të arrijnë një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, si edhe një armëpushim të dytë midis Izraelit dhe Hamasit, pas atij të parë që përfundoi dhjetorin e kaluar. 

Izraeli vlerësoi se ka ende rreth 134 izraelitë të mbajtur peng në Gazë, ndërsa Hamasi njoftoi se 70 prej tyre ishin vrarë pa dallim, gjatë sulmeve ajrore izraelite.

Izraeli po mban më shumë se 9,000 të burgosur palestinezë në burgjet e tij. Kushtet e tyre janë përkeqësuar që nga fillimi i luftës në Gazë tetorin e kaluar, duke rezultuar në vdekje mes tyre, sipas organizatave palestineze të shqetësuara për të burgosurit. (Elona)