Syrskyi: Situata në linjat e frontit ukrainas është e vështirë
2024-04-29 10:38:19

Foto nga VCG

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ukrainase, Olexander Syrskyi, deklaroi se situata në linjat e frontit është e vështirë, me një tendencë drejt përkeqësimit, shkruan “ATSH”.

Syrskyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë përditësuan gjatë fundjavës Grupin e Kontaktit të Ukrainës në lidhje me kushtet e vështira në front, ndërsa vendi përballet prej më shumë se dy vjetësh me agresionin rus.

Syrskyi raportoi gjithashtu për numrin e madh të sulmeve ajrore ruse kundër infrastrukturës energjetike të vendit.

“Ukraina ka nevojë urgjente për raketa, municione, pajisje ushtarake dhe teknologji luftarake”, tha ai.

Të paktën katër termocentrale u dëmtuan gjatë natës së të shtunës, në sulmet ajrore ruse.

“Nga 32 raketa të lëshuara nga ajri, Deti i Zi dhe toka, 21 u kapën”, njoftuan Forcat Ajrore të Ukrainës.

Dy termocentrale u goditën në rajonin juglindor të Dnipropetrovsk, në qendër industriale të vendit. Sulme u raportuan gjithashtu nga rajonet perëndimore Lviv dhe Ivano-Frankivsk, thanë autoritetet. (Fatosi)