Arabia Saudite organizon Forumin Ekonomik WEF
2024-04-29 10:46:35

Foto nga VCG

Arabia Saudite organizon një takim special të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili pritet të dominohet nga lufta në Rripin e Gazës dhe tensionet në Lindjen e Mesme, njofton “ATSH”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përfaqësues palestinezë dhe diplomatë të lartë të përfshirë në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit janë ndër pjesëmarrësit në takimin dyditor në Riad.

“Në takim do të diskutohen përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza, që lejon lirimin e pengjeve. Po ashtu, do të theksohet rëndësia e parandalimit të një shtrirjeje rajonale të luftës që Izraeli ka zhvilluar në Rripin e Gazës që nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në tokën e tij më 7 tetor”,- thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan i Shtetit.

“Bota po përpiqet të gjejë një ekuilibër midis sigurisë dhe prosperitetit. Ne takohemi në një kohë kur një gabim gjykimi, një gabim llogaritjeje ose një keqkomunikim do të përkeqësonte më tej sfidat tona”,- tha Faisal al-Ibrahim, ministri saudit i Planifikimit, në një konferencë për shtyp të shtunën. (Fatosi)