BE-ja rrit fondet për mbështetjen e palestinezëve të prekur nga lufta
2024-04-28 13:24:56

Foto nga VCG

Bashkimi Evropian njoftoi se do të japë edhe 68 milionë euro për ndihmën e nevojshme humanitare për palestinezët në Gazë, territor i shkatërruar nga lufta që ka nisur mbi gjashtë muaj më parë nga Izraeli pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor, shkruan “Panorama”.

Si pasojë e luftës, popullsia civile prej mbi 2 milionë banorësh e Gazës ka nevojë për ndihmë humanitare.

“Duke parë përkeqësimin e vazhdueshëm të krizës së rëndë humanitare në Gazë dhe rritjes së kërkesave në terren për ndihmë, Komisioni Evropian po rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta që po vazhdon”,- thuhet në deklaratën e BE-së.

Kjo mbështetje bën që totali i ndihmës humanitare që BE-ja ka ofruar për palestinezët brenda Gazës dhe në mbarë rajonin më 2024 të arrijë në 193 milionë euro.

Sipas BE-së, ndihma e re do të përqendrohet në dërgesat ushqimore, ujë të pastër, strehim dhe do të dërgohet në terren përmes partnerëve lokalë. (Irma)