Foto nga VCG
Ministrja gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim, Svenja Schulze, njoftoi planet për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës përmes një nisme ndërkombëtare të fuqisë punëtore.
“Ka mungesë mjekësh, psikologësh, arkitektësh. Rindërtimi i Ukrainës tashmë ka filluar”,- deklaroi ministrja Schulze, citon “ATSH”.
“Njerëzit janë të nevojshëm, kryesisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe në rindërtimin dhe ndërtimin e shtëpive. Në sektorin e energjisë, 8000 punëtorë të kualifikuar tashmë janë trajnuar që nga fillimi i konfliktit. Këto janë profile profesionale që nevojiten urgjentisht për rindërtimin”,- theksoi Schulze.
Ajo tha se qëllimi i “SkillsAlliance for Ukraine” është të trajnojë të rinjtë dhe të zhvendosurit brenda vendit në veçanti në fushat e rindërtimit. Megjithatë, sipas saj, refugjatët nga Ukraina do të përfitojnë duke u trajnuar jashtë vendit.
Konferenca e Rindërtimit të Ukrainës është planifikuar të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor, në Berlin.
“Çdo ndihmë për specialistët ukrainas në Ukrainë është shumë e mirëpritur. Rindërtimi i vendit nuk mund të presë derisa të përfundojë konflikti. Kjo do të jetë një detyrë për disa dekada”, tha ambasadori ukrainas Oleksii Makeiev.
Komisioni Evropian e ka vlerësuar koston e rindërtimit të vendit në mbi 150 miliardë euro (161 miliardë dollarë). (Irma)