Ministri kinez i Mbrojtjes: Nismat e propozuara nga Kina sjellin përfitime për njerëzit në mbarë botën
2024-04-28 16:25:42

Foto nga VCG

Nismat e propozuara nga Kina kanë sjellë përfitime për mirëqenien e njerëzve në mbarë botën dhe kanë bërë që Organizata e Bashkëpunimit të Shangait të bëhet një forcë konstruktive në ruajtjen e barazisë dhe drejtësisë, tha të premten ministri kinez i Mbrojtjes Dong Jun në Astana, Kazakistan.

Bota e sotme po kalon ndryshime të përshpejtuara të papara në një shekull, vuri në dukje Dong në një fjalim gjatë takimit vjetor të ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, duke shtuar se nisur nga interesat e përbashkëta të njerëzimit, presidenti kinez Xi Jinping propozoi ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta për njerëzimin, nismën “Një brez, një rrugë”, si dhe nismat për Zhvillim, Siguri dhe Qytetërim Global, të cilat përfaqësojnë kërkesën e përbashkët të njerëzimit për një botë më të mirë.

Gjatë takimit, krerët e departamenteve të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Organizatës shqyrtuan rezultatet e bashkëpunimit të arritura që nga takimi i vitit të kaluar dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të forcuar vazhdimisht komunikimin strategjik, për të çuar përpara bashkëpunimin praktik dhe për të ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin rajonal.

Pas takimit u shpërnda një deklaratë e përbashkët.

Gjatë qëndrimit në Kazakistan, Dong u takua me homologët e Pakistanit, Iranit, Rusisë, Kirgistanit dhe Bjellorusisë. Ai zhvilloi gjithashtu bisedime të veçanta me ministrat e Mbrojtjes të Uzbekistanit dhe Taxhikistanit, gjatë të cilave shkëmbeu mendime mbi situatën ndërkombëtare dhe atë rajonale, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy ushtrive respektive si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët. (Çang Çuo)