Parlamentarët bullgarë votuan për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit
2024-04-26 16:47:25

Kryeparlamentari bullgar (Foto Yenisafak)

Kryeparlamentari bullgar (Foto Yenisafak)

Një shumicë e parlamentarëve bullgarë shkarkoi të enjten kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Rosen Zhelyazkov, një muaj e gjysmë përpara zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Në Parlamentin prej 240 vendesh, Zhelyazkov, përfaqësues i koalicionit GERB-UDF, u shkarkua me 129 vota nga koalicioni Ne Vazhdojmë Ndryshimet-Bullgaria Demokratike (PP-DB) dhe partia Rilindja, ndër të tjera.

Zhelyazkov, i zgjedhur në prill 2023 menjëherë pas zgjedhjeve të mëparshme të Asamblesë Kombëtare, u akuzua për dështim sistematik të përmbushjes së detyrave të tij si kryetar i Parlamentit, shkruan “Xinhua”.

Sipas rregullores, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, Kuvendin do ta kryesojë nënkryetari, i cili është përfaqësues i partisë apo koalicionit më të madh parlamentar. Aktualisht është Rositsa Kirova, po ashtu nga GERB-UDF, e cila mban 69 ulëse.

GERB-UDF dhe PP-DB kishin një qeveri të përbashkët bazuar në një marrëveshje, por pasi kryeministri Nikolai Denkov nga PP-DB dha dorëheqjen më 5 mars, ata nuk arritën të vazhdonin bashkëpunimin. Dështimi për të formuar një qeveri të re çoi në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 9 qershor. (Irma)