Parlamenti Europian miratoi paketën për mbështetjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor
2024-04-26 14:27:54

Parlamenti Europian (Foto Rtsh)

Parlamenti Europian miratoi marrëveshjen prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027 për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Paketa do të ndahet në grante dhe kredi dhe ofron mbështetje për vendet e rajonit në rrugën e tyre të anëtarësimit europian, shkruan “RTSH”.

Pasi miratimit nga Parlamenti Europian, për paketën nevojitet formalizimi i saj nga Këshilli i BE-së.

Kjo paketë do të ndihmojë në promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe të rinjve, pjesëmarrjes së shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse, forcimin e sigurisë kibernetike, qëndrueshmërisë ndaj dezinformatave, luftës kundër korrupsionit, mashtrimit dhe krimit të organizuar, si dhe rëndësisë së reduktimit të varësive strategjike të rajonit.

Eurodeputetja franceze Fabienne Keller përshëndeti miratimin e marrëveshjes së lehtësimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ky instrument mbështetës do të na mundësojë të krijojmë lidhje më të ngushta me partnerët tanë, në mënyrë që të krijojmë një bashkim më të fortë. Është edhe më simbolike ta votosh këtë tekst në kuadër të 20-vjetorit të zgjerimit”,- tha ajo.

Në të njëjtën linjë me të ishte dhe eurodeputeti grek Georgios Kyrtsos, i cili shtoi se kjo nismë do t'i hapë rrugën partnerëve për të arritur një shtrirje të zgjeruar socio-ekonomike, e cila ka një rëndësi të thellë, veçanërisht për të rinjtë. (Irma)