Hamasi: Armëpushim me Izraelin, nëse krijohet një shtet palestinez
2024-04-26 17:16:55

foto nga CFP

foto nga CFP

“Një armëpushim pesëvjeçar me Izraelin, së bashku me dorëzimin e armëve, është i mundur nëse krijohet një shtet palestinez i bazuar në kufijtë e para vitit 1967”,- deklaroi Khalil Al Hayya, një zyrtar i lartë politik i Hamasit, i cili ka përfaqësuar militantët palestinezë në negociatat për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh, shkruan “RTSH”.

Nuk pritet që Izraeli ta konsiderojë një skenar të tillë, pasi vendi është zotuar të sulmojë Hamasin pas sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit që shkaktuan luftën. Lidershipi aktual është i vendosur kundër krijimit të një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Autoriteti Palestinez shpreson të krijojë një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Gaza, zona të pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar e mbështet gjerësisht një zgjidhje me dy shtete, qeveria e vijës së ashpër të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e kundërshton atë.

Lufta në Gaza është zvarritur për gati shtatë muaj dhe negociatat për armëpushim kanë ngecur. Lufta filloi me sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit në Izraelin jugor, ku militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë. 

Bombardimet izraelite dhe ofensiva tokësore që pasuan në Gaza kanë vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, dhe kanë zhvendosur rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës. (Irma)