Turqia bën thirrje për bashkëpunim më të madh në fushën e mbrojtjes me Gjermaninë
2024-04-26 17:13:58

Presidenti gjerman dhe ai turk (Foto Xinhua).jpeg

Presidenti gjerman dhe ai turk (Foto Xinhua)

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, zhvilloi një takim me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier. Në një konferencë të përbashkët shtypi, ai bëri thirrje për bashkëpunim më të madh midis Turqisë dhe Gjermanisë në industrinë e mbrojtjes.

“Do të doja të hiqnim plotësisht kufizimet me të cilat përballemi në industrinë e mbrojtjes nga axhenda jonë. Shpresojmë që Turqia dhe Gjermania të flasin për projekte të përbashkëta prodhimi, veçanërisht në fushën e mbrojtjes”,- tha Erdogan, citon “Xinhua”.

Që nga viti 2016, Gjermania ka zbatuar një politikë shumë kufizuese për eksportet e armëve në Turqi, veçanërisht pas ofensivës ushtarake turke në rajonin verior të Sirisë, Afrin, që synonte grupet e milicisë kurde, veçanërisht Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG).

Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën për të zgjeruar tregtinë dypalëshe nga 50 miliardë dollarë amerikanë në 60 miliardë. “Në këtë aspekt i kushtoj rëndësi të veçantë rritjes së investimeve të ndërsjella”, tha ai.

Steinmeier, nga ana e tij, tha se Turqia dhe Gjermania janë dy vende që janë të domosdoshme dhe kanë nevojë për njëra-tjetrën.

“Në këto kohë shumë të vështira, duhet t'i japim sërish rëndësi dhe vrull marrëdhënieve turko-gjermane”, tha ai.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Gaza, Steinmeier tha: “Ne duhet të përmirësojmë situatën humanitare në Gaza”.

Dy liderët ranë dakord se pa një zgjidhje politike për palestinezët, nuk do të kishte paqe për Izraelin në afat të mesëm dhe afatgjatë.

“Kjo zgjidhje politike mund të jetë vetëm zgjidhja me dy shtete”,- tha Steinmeier. (Irma)