Izraeli mobilizon brigada shtesë
2024-04-25 14:48:53

Forcat izraelite (Foto Atsh)

Forcat izraelite (Foto Atsh)

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë mobilizuar dy brigada shtesë rezervë përpara një dislokimi të mundshëm në qytetin Rafah në Rripin jugor të Gazës, njoftoi “IDF”, citon “ATSH”.

Brigadat ishin vendosur më herët në kufirin e Izraelit me Libanin. Megjithatë, gjatë javëve të fundit, ata janë trajnuar për operacione në Rripin e Gazës.

“Ushtarët praktikuan teknikat luftarake dhe mësuan njohuritë dhe mësimet kryesore nga luftimet dhe manovrat tokësore në Rripin e Gazës deri më tani”,- thuhet në deklaratë.

Në fillim të luftës së Gazës, më shumë se gjashtë muaj e gjysmë më parë, Izraeli mobilizoi rreth 300.000 rezervistë. Megjithatë, shumica prej tyre që atëherë janë liruar.

Së fundmi, trupat aktive janë vendosur kryesisht në Rripin e Gazës. Izraeli nuk e publikon numrin e trupave të tij, por një brigadë zakonisht përbëhet nga disa mijëra ushtarë.

Qeveria izraelite ka njoftuar një ofensivë tokësore në Rafah, duke nxitur reagimin e aleatëve, duke përfshirë SHBA-në, mbështetësin e tij më të fortë, i cili ka paralajmëruar për rrezikun e saj, sepse qindra mijëra refugjatë palestinezë ndodhen në qytetin jugor dhe rrethinat e tij.

Qyteti pranë kufirit egjiptian konsiderohet të jetë i vetmi në brezin e mbyllur bregdetar që është ende relativisht i paprekur. Izraeli po planifikon të evakuojë Rafahun dhe dëshiron të zhvendosë popullsinë civile në zona më të sigurta si kampi al-Mawasi. (Irma)