Italia, Sllovenia, Hungaria, Kroacia mbështesin zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor
2024-04-24 16:31:42

Italia, Sllovenia, Hungaria dhe Koracia pro zgjerimit të BE-së (Foto ATSH)

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në interesin e tij strategjik  dhe të garantimit të sigurisë, thanë liderët e Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Austrisë në një takim të nivelit të lartë, që Sllovenia organizoi dje në vendpushimin malor të Brdo pri Kranju, për të shënuar 20 vjetorin e anëtarësimit të vendit në BE, sipas agjencisë kroate të lajmeve (HINA), cituar nga ATSH.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviç fajësoi shtetet anëtare për faktin se këtë vit Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk hapën asnjë kapitull.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e kritereve. Për fat të keq, po hasim edhe shumë burokraci në politikën evropiane. Kjo është arsyeja pse vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi “nuk hapën asnjë kapitull”.”

Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar dhe ai austriak Alexander Van Der Bellen premtuan ndihmën e tyre për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Zgjerim do të thotë fuqi e madhe transformuese. Ne jemi presidentë të vendeve që mbështesin anëtaresimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, thanë ata.“Austria i mbështet keto vendime. Ne kemi një interes të qartë strategjik, që është zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian. Para së gjithash, unë mendoj për vendet e Ballkanit Perëndimor, ata janë fqinjët tanë. Është gjithashtu në interesin e sigurisë sonë që ata të hyjnë në Union, mendoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Van Der Bellen.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, kujtoi kohën kur Sllovenia u bë anëtare e Bashkimit Evropian së bashku me nëntë vende të tjera në vitin 2004.

“Nëse duam të vazhdojmë të ndërtojmë paqen, duhet të përfundojmë projektin evropian. Sot është më i rëndësishëm se kurrë. Sidomos kur flasim për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët presin prej 20 vjetësh të hyjnë në BE”, tha Mattarella.

Presidenti hungarez, Tamas Suljoko tha se vendi i tij mbetet i përkushtuar për përshpejtimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se ai dëshiron të nxise negociatat për anëtarësim, sa më shpejt të jetë e mundur.(Fatosi)