Tentuan të kalonin kanalin anglez me varkën me mbi 110 persona, ndërrojnë jetë pesë emigrantë, mes tyre edhe një fëmijë
2024-04-24 16:10:14

Emigrantët e paligjshëm në Angli (Foto panorama)

Emigrantët e paligjshëm në Angli (Foto panorama)

Të paktën pesë persona kanë vdekur në përpjekje për të kaluar kanalin anglez, ka raportuar policia franceze, njofton panorama.al Roja bregdetare franceze konfirmoi se kishte një përpjekje të dështuar për të kaluar Kanalin dhe policia po vepronte në një plazh pas incidentit të së martës.

Sipas BBC, viktimë kishin mbetur tre burra, një grua dhe një fëmijë, ndërsa mësohet se në varkë ishin mbi 110 persona. Rreth njëqind emigrantë janë shpëtuar tashmë nga një rimorkiator i marinës franceze dhe u dërguan Boulogne.

Kjo ngjarje e rëndë, vjen disa orë pasi u miratua projektligji i diskutueshëm i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, i cili synonte të pengonte emigrantët të kalonin Kanalin me varka të vogla.

Kanali midis Francës dhe Britanisë është një nga korsitë më të ngarkuara të transportit në botë dhe rrymat janë të forta, duke e bërë kalimin me varka të vogla jashtëzakonisht të rrezikshme.

Trafikantët e qenieve njerëzore zakonisht mbingarkojnë gomone të prishura, duke i lënë ato mes të detit dhe në rrezik për t’u goditur nga dallgët ndërsa përpiqen të arrijnë në Britani.(Fatosi)