Biden rikonfirmon mbështetjen amerikane për Izraelin
2024-04-23 15:57:26

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti amerikan Joe Biden ripohoi të dielën angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit në prag të festës së Pashkës hebreje, shkruan ATSH.

“Angazhimi im për sigurinë e popullit hebre, sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre është i hekurt”, tha Biden.

Festa e Pashkëve Hebraike, e cila përkujton çlirimin e hebrenjve nga skllavëria egjiptiane, filloi të hënën në mbrëmje.

“Kjo Pashkë bie veçanërisht e rëndë për familjet e pengjeve që përpiqen të nderojnë frymën e festës, ndërsa të dashurit e tyre mbeten në robëri”, tha Biden.

Biden tha se administrata e tij po punonte për të liruar pengjet, si dhe për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe të zgjatur në Gazë, që do të ndihmonte në lirimin e pengjeve dhe do të dërgonte ndihma humanitare për civilët palestinezë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një zgjidhjeje me dy shtete që ofron siguri të barabartë, prosperitet dhe paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët”, tha Biden.

Negociatat e ndërmjetësuara kryesisht nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti deri më tani kanë dështuar.(Fatosi)