Makina përplas besimtarët në Jeruzalem, autorëve u ngec arma para se t'i qëllonin
2024-04-23 15:53:27

Jeruzalem makina përplas besimtarët (Foto RTSH)

Jeruzalem makina përplas besimtarët (Foto RTSH)

Tre persona mbetën të lënduar në Jeruzalem mëngjesin e së hënës, duke i shpëtuar përplasjes me makinë dhe plumbave të një arme automatike, e cila nuk arriti të përdorej, njofton RTSH.

Dy autorë u arrestuan për ngjarjen. Policia izraelite tha se po e trajton atë si një sulm terrorist. Makina e autorëve mori me shpejtësi përpara një grup meshkujsh me veshjen e besimtarëve ordotoksë, që po bisedonin në trotuar. Mes të lënduarve të dërguar për ndihmë mjekësore ishin një 20-vjeçar, një 18-vjeçar dhe një 15-vjeçar.

Policia njoftoi se dy të dyshuarit u gjetën të fshehur pranë një biznesi. Pamjet nga kamerat e sigurisë treguan se pas përplasjes me qëllim të personave, ata dolën nga mjeti me armë automatike, që u bllokuan para se të hapnin zjarr. Sulmi ndodhi në ditën kur besimtarët izraelitë festojnë Pashkën hebraike. Viktimat më herët kishin kryer edhe ritin tradicional të mëngjesit.

Një ditë më parë u raportuan sulme të ndryshme nga palestinezët ndaj trupave dhe civilëve në Cisjordani, i njohur edhe si Bregu Perëndimor. Tensionet në Izrael dhe në Cisjordani janë rritur prej 7 Tetorit, kur militantë të Hamasit kaluan kufirit e Gazës drejt Izraelit, duke vrarë të paktën 1.200 persona dhe duke marrë peng 254 të tjerë. (Fatosi)